Religjion
Vjehrra e padurueshme | Islam Press

Shumë
kohë më parë, një vajzë me emrin Lily u martua dhe jetonte me burrin dhe
vjehrrën e saj. Pas një kohe shumë të shkurtër, Lily mendoi se jeta me vjehrrën
e saj do të ishte e padurueshme. Personalitetet e tyre ishin krejtësisht të
ndryshme dhe ajo ishte vazhdimisht e zemëruar nga zakonet e vjehrrës së saj.
Kalonin
ditë dhe javë, por marrëdhënia e tyre nuk u përmirësua, përkundrazi ajo u
ndërlikua akoma më tepër nga grindjet e vazhdueshme. Por ajo që ishte edhe më e
keqe, sipas traditës së vjetër të epokës nga buron kjo histori, nusja duhej të
dëgjonte vjehrrën e saj dhe t’i bindej çdo dëshire të saj. I gjithë ky zemërim
dhe pakënaqësi në shtëpi gjithashtu ndikoi shumë edhe te bashkëshorti i saj.
Më në
fund, Lily nuk mund më ta toleronte keqtrajtimin e vjehrrës së saj dhe vendosi
të ndërmerrte diçka.
E
vizitoi një mikun e mirë të babait të saj i cili po shiste barishte medicinale.
Ajo ia tregoi situatën në të cilën ndodhej dhe e pyeti nëse mund t’i bënte ndonjë
helm, në mënyrë që ta zgjidhte problemin njëherë e përgjithmonë.
Zotëri
Huangu mendoi pak dhe iu përgjigj Lilit se do ta ndihmonte ta zgjidhte
problemin, por ajo do të duhej ta dëgjonte mirë dhe t’i ndiqte porositë e tij,
gjë me të cilën ajo u dakordua.
Mandej
Huangu shkoi në dhomën e pasme dhe pas disa minutash u kthye me një pako me
bimë dhe e porositi: “Lily, nuk duhet ta përdorni këtë helm me shpejtësi për ta
hequr qafe vjehrrën tuaj, sepse njerëzit do të dyshonin. Prandaj, unë ju përgatita
një përzierje me bimë që do të rrisin ngadalë nivelin e toksinave në trupin e
saj. Për çdo ditë përgatitni ushqim dhe vendosni nga pak prej këtyre barishteve.
Shumë me rëndësi është që askush të mos dyshojë, prandaj duhet të jesh shumë e
kujdesshme dhe të kesh qëndrim miqësor me vjehrrën. Mos u grind me të, bindu çdo
dëshire të saj dhe trajtoje si një mbretëreshë.“
Lily
ishte shumë e lumtur, e falënderoi z. Huang dhe nxitoi të kthehej në shtëpi për
ta filluar planin dinak për vjehrrën e saj.
Kaluan
javë dhe muaj, ndërsa Lily i shërbente vjehrrës duke i përgatitur ‘ushqime të veçanta’.
Ajo gjithmonë i kujtonte porositë që i kishte thënë Z. Huang për t’i shmangur
dyshimet dhe i mbante nën kontroll nervat. Ajo e dëgjonte vjehrrën e saj dhe e trajtonte
si nënën e saj. Pas gjashtë muajsh, ndryshoi e gjithë atmosfera në shtëpi. Lily
aq shumë ishte mësuar t’i kontrolloi nervat e saj saqë pothuajse kurrë nuk zemërohej
apo mërzitej më. Për gjashtë muaj ajo kurrë më nuk ishte grindur me vjehrrën e
saj, e cila tani i dukej një person shumë miqësor me të cilin mund të merrej
vesh.
Gjithashtu
edhe qëndrimi i vjehrrës së saj ndryshoi. Ajo filloi ta donte Lilyn si vajzën e
saj. Vazhdimisht e vlerësonte nusen e saj tek miqtë dhe të afërmeve u thoshte
se nuk mund ta imagjinonte një nuse më të mirë se ajo. Lily dhe vjehrra e saj
tani e trajtonin njëra-tjetrën si nënë dhe bijë e vërtetë. Gjithashtu edhe
burri i Lilyt ishte gjithashtu shumë i kënaqur me mënyrën se si po shkonin
gjërat.
Një
ditë, Lily mendoi gjatë dhe vendosi ta vizitojë përsëri z. Huang për t’i
kërkuar përsëri ndihmë. Ajo i tha: “I dashur Z. Huang, ju lutem më ndihmoni që
helmi që ma ke dhënë atëkohë të mos e mbys vjehrrën time! Ajo tanimë është
ndryshuar dhe është kthyer në një grua të cilën e dua si nënën time. Nuk dua që
ajo të vdesë për shkak të helmit që po i jepja!“
Z.
Huang buzëqeshi dhe tundi kokën. “Lily, mos u shqetëso! Unë kurrë nuk do të të
jepja helm. Bimët që ua kam dhënë atëherë ishin vitamina që e përmirësojnë
shëndetin. I vetmi helm që ekzistonte ishte ai në trurin tuaj dhe qëndrimi juaj
ndaj saj, por tani ai helm është shpëlarë plotësisht nga truri yt për shkak të dashurisë
që ia dhuroni asaj!”
Burimi: atma.hr
Përktheu: Lutfi Muaremi





















