Connect with us

Lajme

“Vetoja bullgare” – Ku gabuan treshja Zaev, Osmani, Dimitrov dhe çka më tutje!

Publikuar

Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, duket se i “turbulloi” ujërat e politikës vendore, por edhe në rajon. Edhepse problemi shumëvjeçar me Greqinë shihej si më i vështiri dhe si pengesa e vetme drejt integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut, në skenë doli Bullgaria. Politikanët vendas, duket se e kishin nënvlerësuar “problemin bullgar”. Të paktën kështu duket nëse analizon ngjarjet e fundit në Ballkan. Por çfarë gaboi Qeveria e Maqedonisë së Veriut e drejtuar nga kryeministri, Zoran Zaev?
Njohësi i çështjeve evropiane, Arben Fetai, i cili vepron prej vitesh në Bruksel si këshilltar për politika evropiane në BE, flet për gabimet strategjike të bëra nga kjo qeveri. Sipas tij, Zaevi si kryeministër, bashkë me Bujar Osmanin dhe Nikolla Dimitrovin si ministra të jashtëm dhe drejtues të Sekretariatit për Çështje Evropiane kanë gabuar rëndë sepse me veprimet e tyre, më shumë i kanë irrituar bullgarët.

Tre strategët Zaev, Osmani dhe Dimitrov bënë gabim të rëndë strategjik duke tentuar t’i bëjnë presion Borisovit përmes Berlinit dhe disa fuqive tjera. Kjo vetëm se ka irrituar më tepër bullgarët të cilët dje bllokuan BE në nxjerrjen e konkluzave të zakonta për zgjerim. Amaterizmi në këtë nivel nuk falet“, thotë Arben Fetai, njohës i mirë i çështjeve evropiane.

Sipas Fetait, është e patjetërsueshme një tryezë liderësh dhe qeveri teknike, për tu arritur fillimisht një konsensus i brendshëm dhe me këtë të arrijnë pozicion më të favorshëm në bisedimet me Bullgarinë. Këtë ide sipas tij, deri tani e ka përmendur kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Zgjidhja e vetme që kemi parë është ajo për të cilën foli Ziadin Sela, tryezë e liderëve për të gjetur zgjidhjen, e cila bëhet edhe konsensus shtetëror në kuadër të një qeverie teknike e cila përmbyll këtë proces”, vlerëson Fetai.

Presionet ndaj një shteti anëtar të BE’së, sipas Arben Fetait, nuk funksionojnë.

Ajo që është e qartë është se presionet ndaj një shteti anëtar të BE-së nuk funksionojnë dhe përpos gjetjes së një konsensusi shtetëror se deri ku jemi gati të shkojmë karshi kërkesave të Sofjes, nuk shoh ndonjë zgjidhje të qëndrueshme“, përfundoi mendimin e tij për in7, Arben Fetai.

Përndryshe, Bullgaria po kërkon një aneks në traktatin e miqësisë të vitit 2017 për të sqaruar kontestin historiko-identitar midis dy shteteve para se të miratohet hapja formale e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Për shkak të kësaj bllokade, dje dështoi miratimi i konkluzioneve të BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor./in7.tv/