Lajme
Vaksina do të arrijë para marsit, Qeveria e gatshme ta paguajë me çdo çmim

Vaksinat anti-kovid mund të arrijnë në vend edhe para muajit mars. Këtë mundësi e përmendi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili shpjegoi se bëhet fjalë për një sasi të caktuar të vaksinave, ndërkohë që procesi i ardhjes së vaksinave do të vazhdojë. Filipçe ka deklaruar se Qeveria e di rëndësinë e vaksionimit, prandaj është e gatshme që të paguajë çdo çmim për sigurimin e tyre. Ai ka qetësuar qytetarët duke theksuar se të gjitha vaksinat e zbuluara deri tash janë plotësisht të sigurta. Filipçe ka shpjeguar se përveç me Bullgarinë, Greqinë dhe Poloninë, për sigurimin e vaksinave po negociohet edhe me Austrinë, ndërsa paralelisht me këtë vazhdojnë bisedimet me prodhuesit e vaksinave. Ndërkohë, vaksina në vend pritet të vijnë edhe përmes sistemit Kovaks.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Është e dukshme që të gjitha vendet të cilat përmes Komisionit Evropian kishin privilegj që t’i marrin të parat vaksinat, morën sasi shumë më të vogla nga ajo që pritën. Për këtë ky sistem i solidaritetit i cili ishte paraparë, pak po shtyhet. Ne jemi në komunikim me të gjitha shtetet evropiane të cilat i ofruan mekanizmat për ndihmë dhe besoj se do të ketë mënyrë që edhe para marsit vaksinat të arrijnë në vendin tone”
I pyetur se në përgjithësi a do të ketë nevojë për vaksinë nëse virusi fillon të qetësohet natyrshëm, Filipçe me qëndrim se që të shuhet virusi nevojitet që të ketë imunizim me të cilin do të arrihet shkallë e imunitetit kolektiv prej 60 deri 70 për qind e popullatës.
Në anën tjetër, ministri Filipçe, tha se për shkak të festave të fundvitit është e mundur të ketë një valë të re të të infektuarve të ri, por që do të jetë një kurbë e vogël. Ndërkohë, deklaroi se me mbylljen e lokaleve pas orës 18:00, dukshëm është ulur numri i të infektuarve.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Besoj se edhe qytetarët do të jenë të vetëdijshëm në periudhën që vijon.Policia do të vazhdojë me intensitetin e tyre të punës. Rastet e reja në bazë ditore janë ulur, është ulur numri i pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim dhe është ulur presioni edhe mbi qendrat për testim. “Spitalet në gjithë vendin janë pothuajse gjysmë të zbrazura. Disa prej tyre ishin edhe pa shtretër të lirë, tani gjendja më nuk është ashtu”
Filipçe deklaroi se në Klinikën Infektive në Shkup pas një periudhe të gjatë, ka mbi 30 shtretër të lirë po ashtu edhe në Klinikat Interne mbi 100 shtretër të lirë. /SHENJA/















