Connect with us

Sport

U turpërua nga Shtutgarti, Dortmundi shkarkon trajnerin

Publikuar

Drejtuesit e Borussias së Dortmundit shkarkuan trajnerin Lucien Favre pas poshtërimit që pësuan verdhezinjtë brenda në shtëpinë e tyre nga ekipi i Shtutgartit. Borusia e Dortmundit ka fituar vetëm 1 nga 5 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, një ecuri vërtet tepër negative, që përkon edhe me dëmtimin e qendërsulmuesit Erling Haaland, që mungoi në katër takimet e fundit dhe do të kthehet në fushat e lojës vetëm në muajin janar.

Humbja e rëndë 5-1 që pësuan verdhezinjtë brenda në stadiumin “Signal Iduna Park” nga ekipi shvab përfaqëson disfatën e tretë rresht në shtëpi për Dortmundin, që më herët ishte mundur gjithashtu edhe nga kampionët në fuqi të Bajernit të Mynihut si dhe nga ekipi i Këlnit. Me një ecuri të tillë skuadra rrëshqiti në vendin e pestë në kampionatin gjerman, pra jashtë zonës Champions, në kuotën e vetëm 19 pikëve, pas 11 javëve të para.

Lajmi i shkarkimit të trajnerit Lucien Favre u konfirmua nga vetë krerët e klubit, që nuk e falën aspak veteranin zviceran, për këtë seri negative të skuadrës. Vetë 63-vjeçari helvet e konsideroi si fatkeqësi humbjen e rëndë me Shtutgartin në shtëpi, ndërkohë drejtimi i ekipit i është besuar asistentit të tij Edin Terzic.

38-vjeçari me origjinë nga Ish-Jugosllavia ka drejtuar ekipet e moshave të klubit verdhezi, sidoqoftë ish-sulmuesi i një sërë klubeve në nivelet amatore të futbollit gjerman do të udhëheqë paraprakisht skuadrën deri në fund të sezonit.

Këtë kanë deklaruar të paktën drejtuesit e klubit, megjithatë Hans – Joachim Watzke natyrisht do të fillojë përpjekjet për të gjetur një trajner të ri, me kohë të plotë.  Watzke tha se të gjithë njerëzit e ambientit verdhezi i janë mirënjohës trajnerit zviceran për punën e shkëlqyer që ka bërë në këtë dy vjet e gjysmë, sezone ku Borussia e Dortmundit është renditur dy herë radhazi në vendin e dytë në kampionatin e Bundesligës.

Lucien Favre që pati drejtuar më herët klube si Hertha dhe Borussia Monchengladbach u rikthye në Gjermani, për të marrë timonin e verdhezinjve, pas një aventure 2-vjeçare në Le Championnat me ekipin e Nisës. 63-vjeçari helvet firmosi fillimisht në majin e 2018 një kontratë 2-vjeçare me Dortmundin, por pas 15 ndeshjeve pozitive radhazi dhe humbjes së “meisterschale”-s për thjesht 2 pikë kundrejt rekordmenëve të futbollit gjerman krerët e klubit e shpërblyen në qershorin e vitit 2019 edhe me shtyrjen e marrëveshjes për edhe 12 muaj të tjerë, sidoqoftë gjithçka tani mbyllet në këtë mënyrë dhe pa lavdi, teksa verdhezinjtë pësuan disfatën e parë në shtëpi në kampionatin gjerman pas plot 13 përballjeve pa humbje, ndaj skuadrave të sapongjitura nga Bundesliga e Dytë.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK