Lajme
Sali Berisha: Antishqiptari i tërbuar Edi Rama po mohon Rezolutën për dënimin e gjenocidit serb

Ish-kryeministri Sali Berisha pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka folur ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama se po e ndalon votimin në Kuvendin e Shqipërisë e Rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Ai në një konferencë për media ka falënderuar Osmanin për fjalimin e saj në Parlamentin shqiptar duke thënë se ajo ngriti çështje të mëdha të shqiptarëve, jo vetëm atyre të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Mohimi nga ana e Edi Ramës përbën një akt flagrant armiqësor ndaj kombit shqiptar. Në këtë kontekst dua të them se presidentja foli në Parlament jo vetëm në emër të qytetarëve të Kosovës, por të mbarë shqiptarëve. Ajo nuk foli vetëm në emër të shqiptarëve që sot janë gjallë, por në emër të gjeneratave të tëra që janë shuar. Ajo foli në emër të qindra-mijëra shqiptarëve të cilët u masakruan barbarisht nga racistët serbë nga viti 860 deri më 1999”.
“Akti i mohimit me urdhër të Edi Ramës në dokumentin e Parlamentit shqiptar të gjenocidit serb është akt armiqësor ndaj çdo shqiptari dhe është akt armiqësor ndaj njerëzimit që s’njeh kufi për gjenocidin ndaj një kombi mbi baza raciste. Gjenocidi ndaj shqiptarëve nga barbarët serbë, pas Holokaustit ndaj hebrenjve, janë krimet më të mëdha që Europa ka njohur dhe cilido që nuk e njeh këtë problem le t’u referohet librave, historive kushtuar gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit se ku renditet gjenocidi serb ndaj shqiptarëve, përveçse për antishqiptarin e tërbuar, Edi Ramën”.
Berisha ka thënë se Edi Rama me mungesën e tij në Kuvend e nderoi Osmanin.
Ai shtoi se objekt bisedimesh mes tij dhe Osmanit ishin problemet e përbashkëta të dy popujve për një të ardhme dinjitoze.
.




















