Sport
Reali për “yllin e pestë” ndaj Granadës, PSG pret Srasburgun


E mërkura do të vijë me disa takime në ekranin e Supersport, ku krahas kampionatit shqiptar dhe atij italian, nuk do të mungojnë as sfida nga La Liga Spanjolle, kampionati francez dhe ai holandez.
Kështu në orën 18:45 në Supersport 5 do të transmetohet përballja mes Willem II dhe Ajaxit, ndërsa një orë më vonë, në Supersport 4 do të vijë sfida mes Realit të Madridit dhe Granadës.
“Los Blancos” numërojnë 4 suksese radhazi në kampionat dhe sot do të kërkojnë fitoren e radhës për të ruajtur hapin e Atleticos kryeseses, ndonëse përballë do të kenë një kundërshtar si Granada, që mbyllet mirë mbrapa dhe zbret rrezikshëm në kundërsulm.
Në mbrëmje do të vijnë dy ndeshje nga kampionati francez, ku Paris Saint Germain do të presë Strasburgun në “Parc des Princes” dhe Lyon presë skuadrën e Nantes.
Rivaliteti në Ligue 1 është mjaft I madh në këtë pjesë të parë të kampionatit dhe Lille e Lyon kryesojnë renditjen me 33 pikë, të ndjekura nga PSG me 32 dhe më pas Marseille një hap më mbrapa me 28 pikë.






















