Connect with us

Lajme

Rama, familjarëve të Klodian Rashës: Prokuroria të zbardhë të vërtetën

Publikuar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkoi për vizitë në familjen Rasha, që humbi dy ditë më parë djalin Klodianin, pasi u qëllua me dy plumba nga një efektiv i Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit me familjarët, Rama mësohet t’u ketë thënë se pret që prokuroria të zbardhë të vërtetën për atë që ndodhi atë natë.

Po ashtu, mësohet se familjarët kanë kërkuar të vihet drejtësi dhe të zbardhet e vërteta. Rama mësohet se i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe i ka dhënë atyre mbështetjen e plotë.

“Ne na keni pranë, unë jam shumë i pikëlluar dhe kjo që ka ndodhur është një fatkeqësi. Mezi kam pritur që të vija. Nuk më zinte vendi. Prokuroria do të zbardhë ngjarjen dhe të vërtetën”, mësohet të jetë ky premtimi që i ka dhënë shefi i qeverisë shqiptare familjarëve të 25 vjeçarit të vrarë.

Në këtë vizitë, kryeministri Rama nuk kishte në krah as ministrin Sandër Lleshaj dhe as Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Rama shoqërohej nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe nga deputeti i zonës, Ulsi Manja.

Për këtë ngjarje, Rama pritet të ketë një deklaratë në orën 18:00.

25 vjeçari Klodian Rasha u qëllua për vdekje me dy plumba nga një polic gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Ky i fundit është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes./ A2 CNN

.

NA NDIQ NË FACEBOOK