Connect with us

Sport

Premier League dhe EFL, paketë ndihme prej 250 milionë stërlinash për kategoritë e ulëta

Publikuar

më

Përgatiti: Alked Gjebrea

Drejtuesit e Premier League-s dhe Ligës Angleze të Futbollit bien dakord për një paketë ndihme me vlerë çerek miliardi stërlina. Krerët e kampionatit elitar të klubeve në Ishull, Premier League, dhe drejtuesit e Ligës Angleze të Futbollit, arritën një marrëveshje për të ndihmuar klubet me një shumë prej plot 250 milionë stërlinash, për shkak të vështirësive të panumërta dhe situatës tepër të ndërlikuar që është krijuar si pasojë e masave të forta shtrënguese, për arsye të pandemisë së koronavirusit.

“English Football League” përmbledh bashkë gjithë klubet që luajnë në Championship, League One dhe League Two. Çdonjëra prej këtyre ligave përbëhet nga 24 ekipe dhe të gjithë klubet që marrin pjesë në këto kategori do të ndihmohen pikërisht nga kjo paketë shtesë. Një iniciativë shumë e rëndësishme për të ndihmuar klubet në nevojë, duke i ndihmuar sadopak për të zbutur situatën aktuale dhe kompensuar në njëfarë mënyre edhe mungesën e spektatorëve në tribuna, që nga muaji mars.

Në Premiership spektatorët do të rikthehen nëpër shkallët e stadiumeve në një numër tepër të kufizuar, për herë të parë pas plot 266 ditësh, megjithatë Premier League qëndron në një nivel krejt tjetër dhe pavarësisht humbjeve klubet kanë edhe mundësi të tjera për të rikuperuar, ndërsa situata për klubet që bëjnë pjesë në tri kategoritë e tjera Championship, League One dhe League Two është vërtet shumë e vështirë.

Palët ranë dakord për të bërë një shpërndarje logjike të të ardhurave, në bazë edhe të shpenzimeve të këtyre klubeve. Kështu 80% e kësaj shume, apo 200 milionë stërlina, do të shkojnë për 24 klubet që bëjnë pjesë në nivelin e dytë të futbollit anglez, pra në Championship, ndërkohë 50 milionë që mbeten do të shpërndahen te 48 ekipet që luajnë në League One dhe League Two, pra ligat që përfaqësojnë nivelin e tretë dhe të katërt, në sistemin aktual të futbollit anglez të klubeve.

Rick Parry, që drejton Ligën Angleze të Futbollit, deklaroi se angazhimi i klubeve të Premiershipit për të ndihmuar skuadrat e kategorive inferiore në një moment të tillë të vështirë dhe me situatën e pazakontë që po përjetohet në Ishull është vërtet domethënës. Sipas 65-vjeçarit Rick Parry, që më parë ka mbuluar rolin e Drejtorit Ekzekutiv te Liverpooli, një marrëveshje e tillë erdhi pikërisht në momentin e duhur për klubet e EFL. Gjithçka do të funksionojë në këtë mënyrë: klubet e Premier League-s do të kontribuojnë sipas një ndarjeje të caktuar, me shuma që mund të prekin deri shifrën e 15 milionë stërlinave, për të krijuar fondin 200 milionësh që do të rezervohet për klubet e Championship-it, më pas English Football League do t’i shpërndajë pikërisht te kjo kategori në formë huaje, me 0 % interes.

Huatë do të ndahen në mënyrë të barabartë, 8,33 milionë paund për çdo klub në Championship, shumë që duhet të rikthehet sërish mbrapsht në qershorin e vitit 2024. 50 milionë stërlinat e rezervuara për League One dhe League Two do të ndahen në dy pjesë. 30 milionë do të shpërndahen te 48 klubet në formë “grant”-i, në bazë të përllogaritjeve të bëra për përfitimet e munguara nga ndalimi i spektatorëve për sezonet 2019-20 dhe 2020-21.

Në këtë mënyrë, klubet në League One do të përfitojnë minimalisht nga një çek prej 375.000 stërlinash, ndërsa klubet në League Two do të marrin minimalisht nga 250 000 stërlina, ndërsa gjysma tjetër, pra 15 milionët që mbeten nga kjo 30-she, do të shpërndahet në bazë të përllogaritjes së humbjeve për çdo klub.

Sa i përket fondit tjetër prej 20 milionësh, kjo shumë do të shpërndahet në bazë të nevojave të tanishme që ka çdo klub, duke patur parasysh vështirësitë e theksuara ekonomike, gjithsesi për të përcaktuar shkallën e nevojës dhe situatën e vërtetë financiare të çdo klubi do të ngrihet shpejt një grup i përbashkët pune, ndërmjet Premier League-s dhe English Football League-s. Rick Parry shprehu kënaqësinë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, sepse në këtë mënyrë me këtë paketë ndihme klubet do të kenë mundësi për t’i mbijetuar ndikimit financiar, që ka patur pandemia e koronavirusit dhe do të vijojnë të mbeten pjesë e familjes së madhe të futbollit anglez.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK