Lajme
Osmani kërkon nga Kuvendi Shqipërisë të miratojë Rezolutën që dënon krimet e Serbisë në Kosovë

Ushtruesja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë ka thënë se është nder i madh që nga aty po i drejtohet familjes së vet.
“Shqipëri është jo vetëm atdhe i bashkëvëllezërve dhe bashkëmotrave të saj, por edhe ëndrra jonë e përbashkët, vatra në të cilën ëndërronim të jetonim që fatkeqësisht shumë prej nesh e takuam për herë të parë në acarin e luftës së ftohtë. Dhe pikërisht në këtë kohë ajo u bë shtëpia jonë që na mbajti gjallë ne dhe na mbajti gjallë shpresën”.
Osmani derisa kërkoi që bashkëpunimi i brendshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë të vazhdojë tha se dy vendet duhet bashkuar forcat që të flasin njëzëri për krimet e Serbisë në Kosovë edhe në arenën ndërkombëtare.
“I kam bërë thirrje këtij Kuvendi në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm kur i bashkojmë zërat ata dëgjohen edhe përtej Kosovës dhe Shqipërisë”.
Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë dhe tha se edhe në këtë aspekt Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të pozicionuara qartë për marrjen e njohjes nga Serbia dhe që të mos jepet asgjë sepse Kosova ka dhënë mjaft jetë në luftën e fundit.
“Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur dhe ne jemi të vendosur të dialogojmë vetëm për njohje të ndërsjellë duke njohur dhe pranuar territorin e paprekur. Kosova s’mund ta shpërblejë Serbinë me territorin e saj për politikën gjenocidale që kishte ndaj nesh. Për këtë ajo duhet të dënohet dhe jo të shpërblehet dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe kudo, si dhe duhet ta themi me zë të lartë. Kosova s’ka çka të japë, sepse ka dhënë më të shtrenjtit e saj”.
“Fytyra e vërtetë e Serbisë është dëshmuar me politikën gjenocidale ndaj nesh. Ne duhet t’i bashkojmë përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Zëri kumbues i Shaip Kamberit të kërkojë drejtësi për viktimat e shkaktuar nga Serbia në Parlamentin e Serbisë”.
“Prandaj, e kemi për detyre kombëtare, detyre njerëzore dhe morale që derisa punojmë për hapjen e kapitulli t të ri, ta mësojmë mirë kapitullin që akoma qëndron para nesh”.
.




















