Lajme
Nasto: Nga protestuesit është paralajmëruar se do të protestohet edhe pas dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm

Sot në të gjitha rrugët e Tiranës është protestuar në shenjë pakënaqësie për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një polic.
Pak minuta pasi edhe kishte filluar protesta, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kishte dhënë dorëheqje që ishte edhe ndër kërkesat kryesore të protestuesve.
Por, sipas kryeredaktores së UTV Evis Nasto, edhe pas dorëheqjes së Lleshajt, do të vazhdohet të protestohet edhe ditëve në vijim.
“Ka disa orë që ka përfunduar protesta, diku rreth orës 20:00 të mbrëmjes, e cila ka nisur diku rreth orës 17:45. Ka qenë një pasdite e vonë shumë intensive. Një guerilje e vërtetë. Për dallim nga një ditë më parë, sot ka pasur protesta thuajse në secilën zonë të Tiranës”.
“Nuk ka pasur protesta vetëm para Ministrisë së Brendshme apo kryeministrisë ashtu si ndodhi një ditë më parë. Ka pasur edhe akte vandale të ndryshme që kanë sjellë edhe bllokimin e trafikut dhe qarkullimit në Tiranë për shkak se objektet që janë thyer ose iu është vënë flaka janë vënë dhe në mes të rrugëve”.
“E gjitha kjo erdhi si revoltë e qytetarëve ndaj policisë dhe mirëfilli ndaj Ministrit të Brendshëm. Kishte pak minuta pasi kishte filluar protesta kur u njoftua për dorëheqjen e tij. Për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm ka njoftuar edhe kryeministri Edi Rama. Tani vihet në pikëpyetje se kundër kujt do të protestohet, pasi është paralajmëruar që do të protestohet edhe në ditët në vijim”.
Nasto, në një lidhje direkte për Edicionin Special në Klan Kosova, dha detaje edhe për të lënduarit nga protesta dhe gjendjen e tyre.
Ajo theksoi se ka disa persona të shoqëruar në polici, duke shtuar se tre persona janë arrestuar si organizatorë të protestës së djeshme.
“Së fundi, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se janë shtatë persona që janë lënduar, në mesin e tyre janë pesë policë dhe dy protestues, por nuk janë në rrezik për jetën. Në rrezik mbetet gjendja e policit që u lëndua dje i cili ka probleme me shikimin. Janë 16 policë që janë të lënduar. Në ndërkohë ka edhe disa të shoqëruar në polici, por nuk dihet ende numri i saktë i tyre. Janë arrestuar edhe tre persona si organizatorë të protestës”.
.




















