Connect with us

Sport

Nagelsmann shpalos ambiciet: Dua të fitoj tituj dhe të stërvit Ronaldon

Publikuar

Julian Nagelsmann ka vetëm 33 vite mbi supe dhe po drejton për sezonin e pestë radhazi në Bundesligën gjermane, teksa pas 3 vitesh në pankinën e Hoffenhaim, tani po synon arritje më të rëndësishme në stolin e Leipzig.

Në vitin e parë në pankinën e këtij klubi, Nagelsmann arriti të çojë skuadrën deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, ndërsa këtë sezon e pranon edhe vetë se dëshiron që të fitojë diçka me skuadrën në pronësi të bosit të “Red Bull”.

“Po bëj mirë, por deri tani nuk kam fituar asgjë në karrierë, përveç një titulli kampion me skuadrën U19 dhe do të ishte shumë bukur t’i merrja titullin kolegut tim Hansi Flick këtë sezon. Nëse nuk do të shfaqim oshilacione si sezonin e kaluar, kemi shumë shanse t’ia dalim, por sigurisht që duhet të punojmë shumë. Nuk dua të votohem si trajneri i vitit, por sigurisht që do të doja të kujtohesha si një nga trajnerët më të mirë”, u shpreh Nagelsmann për Bild.

Tekniku 33-vjeçar nuk e fsheh se është një njeri shumë ambicioz në jetë e karrierë, ndërsa pranon se do të dëshironte që një ditë të stërviste kampionin portugez Cristiano Ronaldo, të cilin tha se e njeh nëpërmjet përshkrimit të të tjerëve.

“Do të ishte interesante që një ditë të stërvit Cristiano Ronaldon. Kur e sheh nga jashtë, duket si një djalë që poston foto në Instagram, por Khedira më ka folur për një njeri me kulturë pune të jashtëzakonshme, i cili shkon i pari në stërvitje dhe largohet i fundit prej aty. Me futbollistë të tillë, mund të bësh gjëra të mëdha”, tha trajneri gjerman.

NA NDIQ NË FACEBOOK