Connect with us

Lajme

Meta i dekretoi, zbulohen votat që morën në Kuvend ministrat e rinj, Çuçi dhe Ekonomi

Publikuar

Kuvendi ka votuar sot me shumicë votash dy ministrat e rinj, ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, dhe ministren e Bujqësisë Milva Ekonomi. Për Çuçin, dhe Ekonomin, deputetët dhanë 97 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim. Ndërkohë që më 101 vota pro, Kuvendi vendosi pro shkarkimit të Lleshajt nga pozicioni që mbante.

Paraditen e sotme presidenti i vendit Ilir Meta dekretoi emërimet e reja në qeveri, Bledi Çuçin në krye të Ministrisë së Brendshme dhe Milva Ekonomin te Bujqësia. Po ashtu Meta ka dekretuar fillimisht shkarkimin e Sandër Lleshajt nga posti që mbante, dhe lëvizjen e Çuçit në një dikaster tjetër brenda qeverisë.

Prej ditës së djeshme, Meta u shpreh para gazetarëve se do të vepronte shpejt në lidhje me dekretimet e ministrave, sapo ato ti mbërrinin në rrugë zyrtare nga ana e kryeminsitrisë.

Në këto shtatë vite qeverisje nga socialistët, Bledi Çuçi do të jetë ministri i katërt pas Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt dhe Sandër Llleshajt që do të drejtojë ministrinë e brendshme, duke qenë një nga portofolet që ka sjellë më së shumti dhimbje koke për Ramën.

Me këto dy propozime të reja kryeministri Edi Rama është treguar i kujdesshëm, për të shmangur një përplasje të re me presidentit Ilir Meta i cili e vonoi dekretimin ministër të Sandër Lleshajt dhe refuzoi atë të Gent Cakajt në postin e ministrit të jashtëm, të cilin de juro e mban vetë Rama.

Çuçi bë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së që në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kom­bëtare dhe kryetar i Komisionit të Asam­blesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.

Që prej Shkurtit 2012, ai mban edhe detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS. Në qeverinë Rama1 prej shtatorit 2013, për tre vjet e gjysmë Bledi Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit.

Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, ndërsa tashmë Çuçi është i dërguar politik i PS në Gjirokastër.

Milva Ekonomi aktualisht kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë iu bashkua kabinetit qeverisës të kryeministrit Rama si ministre e Ekonomisë në vitin 2016. Në zgjedhjet e 2017 ajo u zgjodh deputete në Durrës. Zonja Ekonomi ka shërbyer edhe si zëvendës ministre e shëndetësisë. Nga viti 1994 deri në 2005 Ka shërbyer si Drejtoreshë e Përgjithshme i Institutit të Statistikave të Shqipërisë./faxweb/

NA NDIQ NË FACEBOOK