Lajme
Maqedonia me masa të reja strikte, ja çka propozohet

Komisioni për Sëmundje Infektive i ka rekomanduar Qeverisë një pako të re të masave restriktive për periudhën nga 18 dhjetori deri më 21 janar, me qëllim që të shmanget rritja e numrit të personave të infektuar nga Kovid-19 në periudhën e festave të fundvitit, shkruan TVM2.
Si pjesë e masave propozohet që objektet hotelierike të mbyllen në orën 18:00, në vend të orës 21:00 që ishte deri më tani. Mbetet në fuqi ndalesa për tubim në vendet publike dhe apelohet deri tek njësitë e vetëqeverisjes lokale që ta forcojnë mbikëqyrjen për respektimin dhe zbatimin e kësaj mase.
Në periudhën e ardhshme, Komisioni për Sëmundjet Infektive rekomandon ndalimin e grupimit në sheshe për urimet dhe festimet e Vitit të Ri, si dhe çdo lloj tubimi gjatë festave. Komisioni rekomandon mosgrupim në apartamente për festat e fundvitit dhe do t’u rekomandojë hoteleve që t’i mbyllin restorantet e tyre pas orës 21:00. Lidhur me festat fetare, Komisioni për Sëmundje Infektive thekson se ndalimi i tubimeve në natyrë i më shumë se katër personave është në fuqi, ndërsa brenda ndërtesave rekomandimi është në fuqi që numri maksimal i njerëzve të mos jetë më shumë se 30 për qind e kapacitetit dhe të gjithë personat me maska. Propozimi i Komisioni është që të ndalohen të gjitha festimet në kuadër të organizatave të punës.
“Apelojmë dhe rekomandojmë të mos ketë tubime në shtëpi për festat e ardhshme dhe të mos largohen nga shtëpia pas orës 6 të pasdites nëse nuk kanë nevojë për atë”,- thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Hotelierët: Kundër masave të Komisionit Shëndetësor
Në seancën e Komisionit për Sëmundje Infektive ishin të pranishëm edhe përfaqësues të odës së pavarur hotelierike të cilët e shprehën pakënaqësinë me pakon e re të masave që ka të bëjë me riorganizimin e orarit të punës së objekteve hotelierike dhe dorëzuan deri tek Komisioni propozime të tyre.
“Të lejohet për vitin e ri të paktën deri në ora një të mund të festohet festa e vitit të ri. Të përcillet viti I ri me dinjitet dhe të pritet viti i ri në interes të shëndetit me qëllim që tu mundësojmë edhe qytetarëve edhe hotelierëve të mbijetojnë me dinjitet në industrinë e gastronomisë. Ne do ta respektojmë çdo masë që do ta sjellin, por nuk e di nëse gastronomia do të mund të funksionojë me masat e reja.”,- theksuan nga Oda e Pavarur e Hotelierisë.
Nëse Qeveria i pranon masat e propozuara nga Komisioni për Sëmundje Infektive, duhet të ketë parasysh edhe kompensimin e dëmeve për sektorin e gastronomisë.
















