Connect with us

Lajme

LAJM I FUNDIT/ Edi Rama shkarkon dy ministra të qeverisë

Publikuar

Kreu i qeverisë Edi Rama, në një lëvizje të bêftë dy ditë përpara mbylljes së këtij viti, ka bërë dy lëvizje në qeveri, në Ministrinë e Mbrotjes dhe në atë të Europës dhe Punëve të Jashtme. Rama ka lëvizur Olta Xhaçkën nga Ministria e Mbrojtjes te ajo e Europës dhe Punëve të Jashtme, pas dorëheqjes që ka dhënë Gent Cakaj, ndërsa në krye të mbrojtjes është emëruar Niko Peleshi.

Ky i fundit, i lënë disi në hije rithehet në qeveri në një post mjaft të lakmuar dhe me rëndësi si Ministria e Mbrojtjes.

Njoftimi i Ramës: Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.

Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes.

ë një reagim në rrjetet sociale Cakaj thotë se dorëheqja e tij ka qenë e parevokueshme, dhe se angazhimi i tij për faktorin shqiptar në rajon do të vazhdojë edhe më tej.

“Nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim”, shkruan Cakaj në postimin e tij të lamtumirës. Cakaj, i cili më herët mbante postin e këshilltarit pranë Ramës, nuk u dekretua asnjëherë si ministër nga ana e presidentit Meta, duke qenë Rama në fakt ligjërisht ministri i jashtëm i Shqipërisë.

Postimi i plotë i Cakajt:

Të nderuar qytetarë, Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem në asnjë cilësi, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime! (E.K/Faxweb.al)

NA NDIQ NË FACEBOOK