Sport
Këtë të enjte zyrtarizimi, finalja e Ligës së Konferencës në “Air Albania”


Për herë të parë në histori Tirana dhe Shqipëria futet në hartën e zhvillimit të aktiviteteve më të mëdha europiane të futbollit. Edicioni i parë i Konferencës së Ligës që do të startojë vitin tjetër, përkrah Champions Leagues dhe Europa League-s, do të luajë finalen e madhe në Tiranë, në “Air Albania” Stadium.
Stadiumi i kryeqytetit shqiptar ishte kandidat për zhvillimin e Superkupës së Europës, së bashku me Belfastin dhe Helsinkin, por në fund u arrit një konsensus dhe si rrjedhojë “Air Albania Stadium” përfitoi finalen e këtij kompeticioni, i cili shumë shpejt do të shndërrohet në aktivitetin kryesor europian edhe për klubet shqiptare.
Këtë të enjte, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pritet të zyrtarizojë “Air Albanian” si stadiumin ku do të zhvillohet finalja e Konferencës së Ligës në sajë të lobimit të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili prej mëse dy vitesh është pjesë e organit vendimmarrës të qeverisë europiane të futbollit.
Zhvillimi i një finale të tillë sigurisht që përkthehet në shumë përftime për vendin jo vetëm në aspektin sportiv.






















