Connect with us

Lajme

Instituti Arbën Xhaferi: Problemi me Bullgarinë vështirë të zgjidhet para muajit Mars 2021

Publikuar

Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” ka përpiluar së fundmi një raport mbi 100 ditët e para të Qeverisë Zaev 2. Raporti i ndarë në kapituj, rëndësi të veçantë i kushton analizës së ngecjes së procesit euro – integrues të Maqedonisë së Veriut.

“Në Këshillin e Përgjithshëm të BE-së të datës 8 dhjetor 2020, në ditën e njëqindtë të qeverisë, vendi përsëri nuk fitoi datë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Madje, në këtë mbledhje, politika e zgjerimit nuk ishte fare në rend dite për shkak të bllokadës nga Republika e Bullgarisë rreth zbatimit të Traktatit të miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë të gushtit 2017”, thuhet në Raportin e IPP Arbën Xhaferi, përcjell in7.

Një ndër arsyet e ngecjes së procesit integrues, sipas Raportit të Institutit Arbën Xhaferi, është funksionimi i shtetit juridik, si kërkesë bazike nga BE për çdo vend me aspirata për t’u integruar në familjen evropiane.

“Funksionimi i shtetit juridik është kërkesë bazike për çdo  shtet që synon të integrohet në BE, ndaj edhe  reformat në sistemin e drejtësisë mbetën ndër prioritet kryesore të përcaktuara nga Bashkimi Europian”, sqarohet në Raport.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka bërë hapa serioze në drejtim të arritjes së shtetit të së drejtës, vlerësojnë nga Instituti Arbën Xhaferi, përcjell in7.

“Në drejtim të përmirësimit të situatës në sferën e drejtësisë, e vetmja e arritur  konkrete e Qeverisë në 100 ditëshin e saj është ulja e taksës gjyqësore. Megjithatë, edhe përskaj këtij ndryshimi Republika e Maqedonisë së Veriut, duket sikur nuk mund ti tejkalojë problemet e sistemit të drejtësisë si dhe sundimi i së drejtës, që janë  një ndër vërejtjet kryesore edhe të raportit të komisionit Evropian”, vlerësojnë nga Instituti Arbën Xhaferi.

Sa i përket ngërçit me shtetin bullgar, në analizën e Institutit Arbën Xhaferi, që pritet të publikohet në tre gjuhë së shpejti, qëndron se ky ngërç nuk do të zgjidhet edhe për ca muaj. Kjo të paktën deri pas muajit mars të vitit të ardhshëm, atëherë kur bë Bullgari pritet të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

“Një analizë e procesit vendimmarrës evropian tregon se ky ishte dështimi i shtatë me radhë që nga qershori 2018 i qeverive Zaev I dhe II, për të fituar një datë të prerë për hapjen e negociatave për anëtarësim, edhe përkundër gënjeshtrave të vazhdueshme rreth marrjes së datës dhe premtimeve të fundit për hapje të negociatave në dhjetor 2020. Duke marrë parasysh seriozitetin e kontestit me Bullgarinë dhe deklaratat e kreut të qeverisë pas datës 8 dhjetor, procesi integrues me gjasë do të ngecë për një kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje midis dy vendeve e cila vështirë se mund të ndodh para zgjedhjeve parlamentare bullgare të marsit 2021. Ngecja e integrimit evropian pas vetove të njëpasnjëshme franceze ishte arsyeja kryesore për të cilën kishte rënë qeveria Zaev I më 3 janar 2020”, shkruhet në Raportin e 100 ditëshit të qeverisë së drejtuar nga Zoran Zaev.

Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” ka filluar me punë muaj më parë me seli në Shkup, ndërsa mbështetet direkt nga EED (European Endowment for Democracy) me qendër në Bruksel./in7.tv/

NA NDIQ NË FACEBOOK