Connect with us

Sport

Gerard Houllier, një karrierë plot suksese dhe “njolla” në krye të Francës

Publikuar

Përgatiti: Alked Gjebrea

U nda nga jeta në moshën 73-vjeçare ish-trajneri i mirënjohur francez Gerard Houllier. Me një karrierë të gjatë prej afërsisht katër dekadash si trajner ai la gjurmë te Liverpooli, duke u shndërruar në një legjendë te klubi nga Merseyside. Një jetë e mbushur plot suksese, por e shënuar gjithashtu edhe nga dështimi i rëndë me Francën, që u eliminua që në fazën kualifikuese, duke mbetur jashtë kampionatit botëror që u zhvillua në vitin 1994 në Shtetet e Bashkuara.

Gerard Houllier lindi në Pas – de – Calais dhe gjatë karrierës së tij si futbollist luajti në atdhe për 12 vjet, në nivele të ulëta si mesfushor. Karrierën e tij si trajner ai e nisi në vitin 1973 me klubin modest Le Touquet, që aktualisht luan në nivelin e pestë të futbollit francez të klubeve. Kurioz është fakti që nga viti 1969 deri në 1970 Gerard Houllier studioi në Liverpool, qytet ku u kthye pas gati tri dekadave, për të drejtuar pikërisht klubin më të lavdishëm britanik.

Houllier filloi të bëjë emër te klube si Lens apo Paris SG në vitet ‘80, duke spikatur me titullin e parë në League 1 në historinë e Paris SG në sezonin 1985-86, ndërsa më pas nga 1988 deri në 1992 punoi si drejtor teknik dhe asitent i trajnerit Michel Platini në përfaqësuesen franceze. Pas largimit të Platinisë, drejtuesit e Federatës Franceze të Futbollit i besuan timonin e ekipit kombëtar të bluve, aventurë që zgjati deri në nëntorin e vitit pasardhës, kur dha dorëheqjen, pasi më datën 17 nëntor, në “Parc des Princes”, “gjelave” u mjaftonte edhe barazimi ndaj Bullgarisë për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës të vitit 1994, por në fakt seleksioni bullgar përmbysi në mënyrën më dramatike të mundshme disavantazhin e fillimit, për të triumfuar 2-1 brenda në Paris, falë një goli të shënuar në 90’ nga Emil Kostandinov dhe për pasojë në Shtetet e Bashkuara u kualifikuan Suedia dhe Bullgaria, që ,siç dihet, në vazhdim bënë një figurë të shkëlqyer, duke shkuar deri në fazën gjysmëfinale të botërorit amerikan.

Periudha më e lavdishme për francezin ishte koha e kaluar në Ishull, në drejtimin e Liverpoolit. Gerard Houllier drejtoi fillimisht të kuqtë për 18 ndeshje bashkë me trajnerin tjetër Roy Evans, ndërsa pas dorëheqjes së teknikut anglez ai udhëhoqi skuadrën deri në vitin 2004. Ishin vite vërtet shumë të vështira për “The Reds”, pasi në ato kohë futbolli anglez u dominua nga dy klube si Manchester United dhe Arsenali, gjithsesi Houllier ia doli mbanë për ta shpallur Liverpulin nënkampion, për herë të parë në historinë e Premier League-s, e bëhet fjalë për sezonin 2001-02, kur në Premiership triumfuan “Topçinjtë” e bashkëkombësit të tij, Arsene Wenger.

Kulmin e karrierës së tij e përbën padyshim sezoni 2000-2001, kur Houllier e drejtoi klubin e Liverpulit drejt “Tripletës”, duke fituar me radhë Kupën e Ligës, FA Cup dhe Kupën UEFA, ku të kuqtë mposhtën në mënyrë të jashtëzakonshme 5-4 Alaves-in, në finalen e madhe që u zhvillua në “Westfalenstadion” të Dortmundit.

Me Liverpulin Houllier fitoi edhe Superkupën Europiane dhe Superkupën e Anglisë, ndërkaq karriera e tij vijoi në atdhe, ku ai fitoi dy tituj me Lionin në Le Championnat në vitet 2006 e 2007, si dhe 2 Superkupa të Francës. Detyra e tij e fundit si trajner ishte me Aston Villan në sezonin 2010-11, sidoqoftë francezi u shtrëngua për të hequr dorë nga drejtimi I klubit të famshëm nga Birminghami pas vetëm 9 muajve, për shkak të problemeve në zemër.

Gerard Houllier ka patur probleme të vazhdueshme me shëndetin, madje në tetorin e vitit 2001 iu nënshtrua me urgjencë një operacioni, pas dhimbjeve të shumta që ndjeu në zemër në një takim ndaj Leedsit në “Anfield”. Në prillin e vitit 2011 Houllier u shtrëngua për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i “villans”, pasi atij iu përsëritën dhimbjet në gjoks. Që nga ajo kohë ai hoqi dorë nga drejtimi i skuadrave, por punoi në role të tjera drejtuese pranë Grupit Red Bull, ndërsa në muajin nëntor u emërua si drejtor teknik i klubit të femrave të Lyonit dhe ekipit tjetër me bazë në Washington OL Reign. Për meritat dhe kontributin e tij në sport në vitin 2002 Gerard Houllier është nderuar nga Qeveria Franceze me “Urdhrin e Kalorësit të Legjionit të Nderit”.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK