Sport
Finalja e Conference League në Shqipëri, futbolli ia doli edhe këtë herë!


E enjtja e 3 dhjetorit të vitit 2020 do të shënohet në kalendarin e futbollit shqiptar si një nga ditët ku Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori një nga vendimet historike për Shqipërinë. Për herë të parë, vendi ynë do të bëhet organizator i një ngjarjeje me përmasa të mëdha ndërkombëtare.
Finalja UEFA Conference League, kompeticionit më të ri që pritet të nisë nga sezoni i ardhshëm, do të mbahet në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Nëse deri para tre dhjetorit, organizimi i një finaleje europiane ishte një ëndërr për futboll-dashësit në veçanti dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi, kjo ëndërr tashmë është realiteti. 25 maji i vitit 2022, do ta kthejë Shqipërinë në temë diskutimi për mijëra njerëz.
Futbolli është e vetmja fushë në Shqipëri që duket sikur është një hap përpara çdo fushe apo sektori tjetër në vend. Kjo është vënë re edhe më parë, pikërisht në vitin 2016, ku kombëtarja shqiptare ia doli të kualifikohej në finalet e EURO 2016, duke bërë krenarë mijëra shqiptarë anë e mbanë botës. Ndërsa sot, ia doli t’i gëzonte ata, me sjelljen e kësaj finaleje në Shqipëri. Ky është një lajm historik për të gjithë shqiptarët, pasi përveç se kjo ndeshje do të organizohet në Shqipëri, është hera edhe hera e parë, pasi kompeticioni nis sezonin e ardhshëm.
Shqipëria ka vite që ka bërë hapa përpara në futboll dhe kjo është vënë re, siç u theksua më sipër, me arritjen e Kombëtares në finalet e EURO 2016, por edhe me sukseset që arritën klubet shqiptare këtë vit në kompeticionet europiane, pavarësisht se nuk u kualifikuan në fazën e grupeve. Tashmë, Shqipëria është një emër i njohur në arenën ndërkombëtare falë futbollit, i cili na fal emocione sa herë goditet topi i parë.
Padyshim, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një punë të shkëlqyer, që duhet vlerësuar në maksimum, pasi nuk është pak që UEFA t’i besojë një vendi të vogël një organizim kaq të madh. Presidenti i FSHF, Armand Duka ka pasur një rol të rëndësishëm, duke lobuar dhe duke i siguruar ndërkombëtarët që ne mundemi. Pavarësisht se ai është treguar mjaft modest kur është pyetur nga gazetarët, duke thënë se kjo është një punë 3-vjeçare e Federatës, në plotësimin e një sërë dokumentacionesh, askush nuk mund t’i heqë meritat që ka.
Një gjë është e sigurt, nëse ne nuk do të kishim infrastrukturën e duhur, askush nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nuk do të na i hidhte sytë. Investimet e mëdha të bëra në pak vite duke ndërtuar tre stadiume kombëtare, si ai i “Elbasan Arena” në Elbasan, “Loro Boriçi” në Shkodër, apo “Air Albania” në zemër të Tiranës, kanë qenë një punë e mirë e Federatës në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Shqipëria e meriton të jetë në faqet e para të gazetave, në kronikat televizive të mediave të njohura ndërkombëtare, në mediat online, në rrjetet sociale të çdo përdoruesi. Kjo finale do ta bëjë edhe më të njohur vendin tonë për njerëzit, pasi si shqiptarë, ne do t’i tregojmë çdo tifozi që do të vijë, virtytet tona më të mira. Do t’i tregojmë se ne e dimë se çfarë është miku dhe do të dimë t’i mirëpresim. Imazhi i Shqipërisë do të jetë në rritje dhe e gjitha kjo, edhe një herë, vetëm falë futbollit.
Shqiptarët do të përfitojnë shumë ekonomikisht nëse flasim në shifra, pasi priten rreth 22.000 tifozë që do të mbërrijnë në vendin tonë, për të parë këtë finale të parë historike, për të mos përmendur edhe stafin organizator të UEFA-s që do të instalohet në vendin tonë disa ditë para finales e që do të jetë në numër të konsiderueshëm. Të gjitha hotelet kryesore do të jenë të prenotuara dhe sektori i turizmit mund të përfitojë shumë nga kjo ngjarje.
Tirana, kryeqyteti ynë, do t’i tregojë tifozëve, me restorantet, kafenetë dhe hotelet se çfarë është e aftë t’u ofrojë. Dhe jo vetëm Tirana, por çdo qytet tjetër, ka mundësinë të promovojë veten dhe të arrijë të futet në listën e këtyre njerëzve, për një rikthim tjetër të mundshëm. Përfitimet ekonomike janë të shumta, ne duhet të dimë vetëm të tregojmë se ne jemi të aftë të organizojmë një finale të tillë. Dhe të gjithë shqiptarët besojnë se ne do t’ia dalim. Ashtu sikurse ia dolëm së fundmi me arritjen e objektivit, duke arritur vendin e parë në grupet e Nations League.






















