Connect with us

Sport

E shtuna në SuperSport/ Barca pret Valencian, Juventus udhëton drejt Parmës

Publikuar

E shtuna në Supersport do të jetë mjaft emocionuese me një numër të madh përballjesh interesante nga ligat më kryesore të Europës, teksa gjithçka do të startojë në orën 13:30 me përballjen Crystal Palace-Liverpool.

“The reds” morën kryesimin të vetëm në mesjavë, pasi mposhtën 2-1 Tottenhamin, ndërsa sot do të provojnë të marrin një tjetër 3-pikësh në transfertën londineze, për të nisur shkëputjen në krye, ndonëse vendasit janë një “kockë e fortë” dhe kanë ditur të nxjerrin ndeshje mjaft të mira ndaj skuadrave të kreut.

Kampionati spanjoll do të startojë me përballjen Atletico Madrid-Elche, që do të startojë në orën 14:00 në “Wanda Metropolitana”. Vendasit e drejtuar nga Diego Simeone vijnë pas humbjes 2-0 në derbin e Madridit dhe do të kërkojnë rikthimin te fitorja për të nisur “arratinë” në krye të renditjes.

Me dy fitore radhazi, Barcelona ka nisur ngjitjen drejt kreut dhe ka shkuar në kuotën e 20 pikëve, në vendin e 5-të, ndërsa pasditen e sotme do të presë Valencian në “Camp Nou” për të regjistruar suksesin e tretë radhazi dhe për të rritur besimin te titulli kampion, pavarësisht startit të dobët.

Po nga kampionati spanjoll, në orën 18:30 do të vijë edhe përballja Levante-real Sociedad, me baskët që e kanë nisur mjaft mirë kampionatin dhe ndodhen në krye, por që në mesjavë u dorëzuan në “Camp Nou” dhe humbën 2-1 përballë Barcelonës.

Seria A do të startojë në orën 15:00 me përballjen mjaft interesante mes Fiorentinës dhe Veronës. Pavarësisht emrave mjaft interesantë në organikë, skuadra vjollcë ka zhgënjyer tërësisht deri në këtë moment në kampionat dhe nuk fiton prej shumë javësh, ndaj do të kërkojë të marrë 3 pikët ndaj Veronës.

Megjithatë skuadra e drejtuar nga kroati Juriç është një kundërshtar mjaft i vështirë, që u ka hapur punë edhe ekipeve si Lazio e Atalanta, pasi di të mbrohet mirë dhe të zbresë shpejt në kundërsulm, ndaj jo më kot ka arritur të grumbullojë 19 pikë.

Në orën 18:00 vëmendja do të përqendrohet në stadiumin “Luigi Ferraris” ku Sampdoria do të presë Crotonen. Pas disa rezultateve negative radhazi, skuadra e drejtuar nga Claudio Ranieri mori një fitore surprizë në transfertën ndaj Veronës dhe sot do të kërkojë 3-pikëshin për vazhdimësinë.

Nga ana tjetër Crotone është në vendin e fundit me 6 pikë të grumbulluara në 12 javë, por interesant është fakti se 4 nga këto i ka marrë vetëm në dy javët e fundit, ku ka dhënë shenja rikthimi.

Në mbrëmje do të jetë radha e kampiones në fuqi, Juventusit, që do të zbresë në fushën e stadiumit “Ennio Tardini” për t’u përballur me Parmën vendase. Bardhezinjtë dhe Milani janë skuadrat e vetme pa humbje në kampionat, por skuadra e Pirlos ka lënë shumë pikë rrugës me plot 6 barazime në 12 javë dhe tani e sheh veten plot 4 pikë larg kreut, ndaj nuk e ka luksin të bëjë të tjerë hapa fals.

Nga ana tjetër Parma nuk humb prej thuajse një muaji dhe në javët e fundit numëron 4 barazime e një fitore dhe i është larguar ndjeshëm zonës së ftohtë të renditjes.

NA NDIQ NË FACEBOOK