Connect with us

Sport

E shtuna në Supersort, Lampard sfidon Ancelottin, Lazio pret Veronën

Publikuar

Derbi i Manchesterit dhe ai i Madridit do të marrin vëmendjen maksimale të botës së futbollit, por dita e sotme në Supersport do të vijë edhe me një sërë përballjesh të tjera mjaft interesante, nga kampionatet më të rëndësishme të Europës.

Kështu në orën 14:00 Valencia do të presë Athletic Bilbaon në ‘Mestalla”, në një sfidë mjaft interesante, mes dy skuadrave që vazhdimisht kanë luajtur futboll të bukur e emocionues.

Një orën më vonë në Serinë A do të përballen dy nga skuadrat e ngjitura rishtazi në elitën e futbollit italian, Crotone e Spezia, me vendasit që e kanë nisur shumë keq sezonin dhe kanë marrë vetëm dy pikë në 10 javët e para, ndaj do të provojnë suksesin e parë.

Nga ana tjetër Spezia po bën paraqitje mjaft të mira dhe ka arritur të grumbullojë 10 pikë deri tani, teksa edhe në javën e fundit tregoi forcën ndaj Lazios, ku humbi me rezultat minimal, por në një sfidë të cilën e dominoi.

Për të mbetur te kampionati italian, në orën 18:00 do të luhet përballja mes Torinos e Udineses, ku vendasit janë maksimalisht të karikuar për të dalë nga situata e vështirë që po kalojnë, ndonëse përballë do të kenë friulianët që janë një “kockë e fortë” për këdo këtë sezon.

Në mbrëmje do të jetë radha e Lazios që të kërkojë fitoren e radhës, pasi do të presë në “Olimpico” Veronën, një skuadër që për të dytin sezon radhazi po tregon një organizim të jashtëzakonshëm në fushën e lojës dhe po përballen denjësisht me çdo lloj kundërshtari.

Kampionati gjerman do të vijë me dy përballje interesante si Borussia Dortmund-Stuttgart në orën 15:30 dhe Union Berlin-Bayern Munich në orën 18:30, teksa që të dyja do të transmetohen në kanalin numër 98 të Digitalb, EuroSport 2.

Kampionati francez do të vijë me një përballje mjaft interesante si ajo Marseille-Monaco, me dy skuadrat që duket se janë përmirësuar ndjeshëm këtë sezon dhe po bëjnë shumë mirë, duke qenë vazhdimisht pranë kreut.

Sfida të tjera interesante që do të vijnë në ekranin e Supersport janë Getafe-Sevilla në orën 16:15, Ajax-Zwolle në orën 20:00 dhe Everton-Chelsea në orën 21:00.

NA NDIQ NË FACEBOOK