Sport
Duka: UEFA vlerëson FSHF-në jo anëtarin e ekzekutivit …


Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, organizoi një komunikim “online” me gazetarët, ku foli për tema të rëndësishme të futbollit. Fillimisht kreu i qeverisë se futbollit komentoi vendimin e UEFA-s për organizimin e finales së Ligës së Konferencës në vitin 2022 në “Air Albania”
“UEFA ka vlerësuar punën e Federatës ndër vite si partner serioz, ka vlerësuar infrastrukturën tonë në Shqipëri dhe investimet që janë bëra. Nuk është ndikim i anëtarit të Komitetit Ekzekutiv. Është puna e FSHF-së që ka bindur UEFA-n. E kemi bindur që mund ta bëjmë, jo vetëm finalen e “Conference League”, por dhe të tjera.
Kërkesat e Ligës dhe reagimi i qeverisë: “Qeveria nuk ka reaguar? Nuk dua ta besoj që është kështu. Rikthimi i futbollit, rikthimi në fushë u bë me kontributin tim dhe me kontributin e kryeministrit të Shqipërisë. Unë dua të besoj që akoma ka ditë deri në 31 dhjetor që kërkesat e sportit shqiptar, në përgjithësi, të plotësohen. Ato kërkesa janë minimale, kryeministri e ka pritur mirë, ka thënë pse jo, të ketë edhe Shqipëria një ligj të sponsorizimit. Nuk cënohet buxheti shqiptar. Qeveria ka patur probleme të tjera, por do të mendojë dhe për ne.
Synimet e FSHF-së : “Që kur bëmë stadiumin “Air Albania”, objektivi ka qenë të bënim një finale të rëndësishme europiane. Objektivat duhet t’i vendosim të rinj, kemi shumë gjëra për të bërë. Kemi mundësi të rikthehemi dhe ta shijojmë akoma më shumë një Europian si në vitin 2016 si dhe të kemi klubet tona në kompeticionet europiane. Duhet një shtysë nga qeveria, që klubet tona të konkurrojnë fort në kompeticionet e futbollit europian.
Terreni i “Air Albanias”: “Kemi insistuar që në fillim për fushën me bar natyral, por kishim parashikuar që nuk do shkonte mirë me këtë. Ne provuam me bar natyral, por nuk rezultoi e suksesshme. Nuk mund të jetë e pranueshme as për kampionatin shqiptar, as për kombëtarem dhe jo më për një finale si kjo e “Conference League”. Nga do fillojë puna për fushën, që nga java e ardhshme do të instalojmë ndriçimin që do zëvendësojë diku atë të diellit për të mundësuar sa më mirë ngrohjen dhe rritjen e barit. Pastaj do të instalojmë një impiant ventilimi, sepse është i mbyllur. Do të provojmë deri në mars me bar natyral, nëse jo, do të provojmë barin hibrid. Ishte i parashikuar që në momentin e fillimit që ma barin natyral do ishte e vështirë, por sido që të jetë, bari natyral është më i këndshëm dhe më i mirë për sportistët”.





















