Sport
De Biasi për “Zona Gol”: Ja e vërteta e deklaratës që bëri bujë në media


Ish trajneri i Kombëtares Shqiptare dhe njëkohësisht njeriu që udhëhoqi kuqezinjtë drejt arritjes më të madhe në histori, pjesëmarrjes në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”, Gianni De Biasi ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” me gazetarin Alban Xhihani.
Tekniku Italian aktualisht drejton përfaqësuesen e Azerbajxhanit, ndërsa për Supersport foli për eksperiencën e re, shortin e eliminatoreve të “Katar 2022” dhe mbi të gjitha për deklaratën që bëri bujë se azerët janë më të fortë se Shqipëria e 2016-ës.
Jeni i kënaqur me shortin e kualifikueseve të Botërorit?
Kemi një grup mjaft të vështirë, sepse ne e njohim mjaft mirë forcën e këtij grupi. Sigurisht do të hasim shumë vështirësi për të bërë atë ç’ka ne duam. Në jetë kurrë nuk thuhet kurrë, kështu që ne do të provojmë për gjithçka. Do të provojmë të fitojmë ndeshjet.
A ishte vërtetë Shqipëria juaj më e dobët se Azerbajxhani aktual?
Ta përsëris sepse ndoshta jam interpretuar keq dhe është kthyer në një problem të vërtet nëpër media. Unë kam thënë që kur kemi filluar aventurën tonë, në Gjeorgji, skuadra që unë mora të drejtoja ishte më e dobët. Sigurisht skuadra më pas u përmirësua, pati lojtarë që erdhën nga jashtë dhe sollën eksperiencë ndërkombëtare, ndërkohë që unë këtu kam vetëm lojtarë që luajnë në kampionatin azerbajxhanas. Nuk kanë eksperiencë ndërkombëtare.
Si ju duket shorti i Shqipërisë?
Sigurisht që Shqipëria nuk ka një grup të lehtë. Nuk e kishim dhe ne të lehtë në atë kohë grupin. Ishim të zhgënjyer edhe atëherë, mendonim se ishte një grup “ferri”. Me Serbinë, Portugalinë dhe Danimarkën. Dukeshe diçka e paarritshme. Por në fund ja dolëm. Në fund vendosëm zemrën përpara këtyre vështirësive, nuk është e lehtë, besoj se Shqipëria ka gjithmonë mundësinë, duke ditur faktin se ka lojtarë që luajnë në Serinë A, në skuadra të rëndësishme, dikush luan dhe në Champions League. E rëndësishme është që mos i vendosim shumë presion skuadrës dhe të shfrytëzojnë faktin se të tjerët kanë në anën e tyre faktin e të qënit favoritë. Skuadra si Polonia dhe Anglia janë superiore ndaj Shqipërisë.























