Sport
Conte kapet me arbitrimin, Handanovic mendon ndryshe: Interi nuk është ende skuadër për Championsin!


Zhgënjim te Interi për barazimin pa gola ndaj Shakhtar Donetsk në San Siro që i nxorri zikaltrit para kohe jashtë kompeticioneve europiane. Ndryshe nga Antonio Conte i cili ja vendosi fajin arbitrimit dhe fatit për eliminimin e Interit nga grupet e Champions League, ndërsa në intervistat pas ndeshjes bëri arrogantin edhe ndaj Fabio Capellos duke mos ju përgjigjur pyetjeve të tij, portieri dhe kapiteni i skuadrës Samir Handanovic e pranoi se Interi nuk është ende një skuadër për të ecur gjatë në Champions League, duke shtuar se vëmendja tani është e gjitha te kampionati dhe Kupa Italisë, dy kompeticione në të cilat zikaltrit do të kërkojnë me çdo kusht të fitojnë të paktin njërin nga dy trofetë.
“Në fund të fundit ishte një grup i ekuilibruar. Kualifikimi na iku na duart në Kiev dhe në takimin e dytë ndaj Shakhtar. Nuk jemi akoma një ekip për Champions League. E thotë fusha një gjë të tillë dhe na duhet ta pranojmë rezultatin. Na mungoi goli, teksa Shakhtari luajti për barazim. Janë ndeshje që të shkatërrojnë psikologjikisht. Tani mbetemi në garë në kampionat dhe Kupën e Italisë, të fokusohemi te Cagliari“, deklaroi portieri slloven.
Ndërkohë Antonio Conte e cilësoi edhe mungesë fati eliminimin e Interit, duke nënvizuar se skuadrës së tij ndaj Shakthar Donetsk i mungoi vetëm goli.
“Tani që jemi eliminuar mund ta them pa probleme: në aspektin e gjykimit dhe teknologjisë VAR, Interi nuk është respektuar aspak. Nuk kishim aspak fat në këtë aspekt. Ndërrime të kryera me vonesë? Nuk doja të çakordoja skuadrën, vendosa të pres dhe të aktivizoj një sulmues më shumë. Aktivizova Eriksen në momentin që Lautaro nuk kishte më energji“, theksoi Conte






















