Connect with us

Lajme

ASH: Aksioni policor prishi imazhin e Haraçinës

Publikuar

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar për aksionin policor të MPB-së javën e kaluar. Sipas Shefik Durakut nga kjo parti, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet shtetërore kanë reaguar në këtë aksion në mënyrë të papërgjegjshme, duke prishur imazhin e Komunës.

Po ashtu sipas Durakut, gjatë këtyre tre ditëve janë terrorizuar banorët e Haraçinës në një skenar të mirëpërgatitur nga MPB. ASH pyeti MPB-në se si ka mundësi mjeti narkotik, i cili u gjend në Haraçinë, të vidhet në një fabrikë të kanabisit, dhe e njëjta të sillet në këtë Komunë, kur dihet se përpos shumë postblloqeve policore të cilat janë në drejtim të Haraçinës, si ka mundësi të vidhet një sasi e madhe e lëndëve narkotike nga një fabrikë e cila ka siguri 24 orësh e ku në këto incizime ka qasje MPB. 

“Si është e mundur 160 km larg Haraçinës të vidhet droga dhe aksioni policor të zhvillohet në Haraçinë. Titujt e lajmeve ishin bombastike se u kapën fillimisht u thanë 2000 kg, e pastaj doli të jenë 250 kg. Mirëpo dëmi është shkaktuar, e në këtë rast ka të bëjë me imazhin e Komunës sonë, e paramendoni me këtë imazh që ka Haraçina, cili investitor do të merrte guximin dhe të investonte në Haraçinë. Revolta është se pse çdoherë në Haraçinë duhet të ndodhin këto gjëra. Ka ndodhur në një lokal këtu ku policit i plas pistoleta pa dashje, sipas tyre, por për fat të mirë nuk ka pësuar askush. Zaevi ka ndarë 500 mijë euro, e ku sipas nesh, ndoshta kjo është forma e tij për t’i kërkuar falje haraçinasve për atë që i ka gënjyer në vitin 2016 dhe 2017 për premtimet që i dha.”,– deklaroi Shefik Duraku nga Aleanca për Shqiptarët – Haraçinë. 

Duraku tha se Zaevi në vend që të lëshojë në përdorim projektet të cilat i ka promovuar, ai organizon aksione policore dhe terrorizohen qytetarët e Haraçinës. /tvm2/

NA NDIQ NË FACEBOOK