Sport
Andrich “tradhton” Unionin, Hertha fiton me përmbysje derbin e Berlinit


Java e 10 e Bundesligës startoi mbrëmjen e sotme me derbin e Berlinit mes Herthës dhe Unionit, zhvilluar në stadiumin “Olympiastadion” të kryeqytetit gjerman dhe që përfundoi me rezultatin 3-1.
Hertha nuk e ka nisur aspak mirë këtë sezon dhe kishte grumbulluar vetëm 8 pikë në 9 javët e para, ndërsa Union Berlin është shfaqur si ekip surprizë në pjesën e sipërme të renditjes, pasi kishte grumbulluar plot 16 pikë deri para derbit.
Ishin pikërisht të kuqtë që shënuan golin e avantazhit në minutën e 20’ me anë të sulmuesit 23-vjeçar nigerian Taiwo Awoniyi, i cili shfrytëzoi një asist të danezit Marcus Ingvartsen për të dërguar topin në rrjetë.
Megjithatë vetëm tre minuta më vonë ndeshja u komplikua për Union Berlin, pasi Robert Andrich u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër dhe la skuadrën me 10 futbollistë, duke prishur balancat në fushë.
Kaq mjaftoi që Hertha të merrte zemër dhe pas një dominimi në kontrollin e topit, arriti të rikthejë baraspeshën vetëm në minutën e 50’, kur Peter Pekarik u shfaq në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë një top të grushtuar nga portieri i Unionit, Luthe.
Më pas ishte ish sulmuesi i Milanit, Piatek që shënoi dy gola të tjerë brenda 3 minutash dhe vulosi fitoren 3-1 të Herthës dhe ngjitjen e skuadrës në kuotën e 11 pikëve.






















