Connect with us

Lajme

“Vjedhja e mbi 2 milionë eurove” – a ekziston detyrimi për kthimin e parave, flasin nga Thesari i Shtetit

Publikuar

më

Mbi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar jashtëligjshëm tek një operator ekonomik, për të cilin rast deri më tani janë arrestuar dy persona. Labinot Gruda që kishte kryer transaksionin dhe Kadri Shala, i cili kishte pranuar këto mjete tashmë gjenden në burg.

I dyshuari për transaksionin e paligjshëm mbi 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda, ka deklaruar në gjykatë se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të.

Kurse, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, të cilës iu ishin bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit disa ditë pasi u zbulua skandali është dorëzuar në Policinë e Kosovë.

Procedurat për kthimin e mjeteve thuhet se kanë filluar, pasi një pjesë e mjeteve sipas Ministres së Fiancave, Hykmete Bajrami tashmë janë bllokuar në xhirollogari, por ende nuk dihet nëse do të mund të kthehen të gjitha këto para në Thesar.

Drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se detyrimi për kthimin e mjeteve ekziston. “Sa i përket procedurave ligjore, veprimet janë ndërmarrë të gjitha që të realizohet kthimi i mjeteve, si para publike ato kanë statusin e tillë që ligji i njeh (Ligji për Financat Publike dhe Ligji i Buxhetit) dhe detyrimi për kthim ekziston”, tha Ismaili.

Ai shton se, kthimi i tyre duhet të bëhet përmes kanaleve ligjore dhe se sipas tij, nuk dihet sa merr kohë. “Tash meqë kjo vepër ka kaluar në tjetër nivel, kthimi i mjeteve do të bëhet me kanale ligjore përmes organeve zbatuese të ligjit, përmes shterjes se të gjitha mundësive deri në rikthimin e plote te tyre, meqë janë marre me vepër penale. Kjo mund të marr kohën e vet dhe procedurat që i kryejnë organet e specializuara. Kam besimin e plote se te gjithë përgjegjësit do të dalin para drejtësisë dhe marrin dënimet e merituara”, u shpreh ai.

Kurse, Banka Qendrore e Kosovës ka Rregulloren për Sistemin e Pagesave Ndërbankare, ku në Nenin 34 të kësaj rregulloreje parashihet edhe “Kthimi i transaksioneve të gabuara”. Sipas kësaj rregulloreje, “një bankë përfituese është subjekt i një procedure për kthim të transaksionit të pranuar nga një bankë urdhëruese nëse banka përfituese nuk është në gjendje të transferojë fondet në llogarinë e klientit për shkak të: udhëzimeve të pasakta ose kontradiktore të llogarisë dhe mbylljes së llogarisë për të cilën janë destinuar këto fonde”.

.

NA NDIQ NË FACEBOOK