Sport
VAR-i i anulon golin Messit, Argjentina ndalet nga Paraguai


Argjentina ngec rrugëtimin e saj drejt kualifikimit për në Kupën e Botës 2022 , pas dy fitoreve radhazi. Përfaqësuesja bardhekaltër, e drejtuar nga Scaloni, pavarësisht “yjeve” që kishte në përbërje, nuk ia doli të mposhtte Paraguain në “Bombonera”, ku sfida u mbyll 1-1.
Në Buenos Aires mysafirët patëm një fillim më të mirë dhe në minutën e 21-të kaluan në epërsi. Martinez Quarta ndërhyri në mënyrë naive ndaj Almiron në zonë, duke shkaktuar 11-metërsh, Ekzekutimin e mori përsipër Romero, duke tundur rrjetën.
Messi me shokë reagun menjëherë, duke e rritur ndjeshëm presionin, derisa gjetën golin e barazimit në minutën e 41-të me Nicolas Gonzalez pas këndores së ekzekutuar nga Lo Celso. Në pjesën e dytë, në minutën e 58-të, VAR-i ndërhyn për të anuluar golin 2-1 të shënuar nga Messi, për një ndërhyrje të gabuar në ndërtimin e aksionit. Në minutat që pasuan, sulmet e “Selección” ishin të vazhdueshme, por asnjë nga përpjekjet argjentinase nuk gjeti fundin e rrjetës dhe për rrjedhojë ndeshja u mbyll pa fitues.
Ekuadori surprizoi 2-3 Bolivinë në kushte jashtëzakonisht të vështira në një lartësi të madhe mbi nivelin e detit (mbi 3600 metra) në kryeqytetin La Paz. Arce dhe Martins realizuan për vendasit, por ekuadorianët reaguan me Caicedon, Mena Delgadon dhe Cruezon me 11-metërsh, duke triumfuar me përmbysje.






















