Connect with us

Sport

Shkurt/ Gago “var këpucët në gozhdë”, Castillejo drejt Spanjës

Publikuar

Fernando Gago vendos ta mbyllë zyrtarisht me futbollin e luajtur. Mesfushori argjentinas njoftoi tërheqjen përfundimtare në moshën 34-vjeçare, një zgjedhje që është kushtëzuar edhe nga dëmtimet e shpeshta të tij në fushë. Përmes një njoftimi në Instagram, Gago tha se e mori këtë vendim me qetësi, teksa falënderoi tifozët për mbështetjen në momentet më të vështira në karrierën e tij. Vetëm dy ditë më parë mesfushori luajti ndeshjen e fundit me Velez Sarsfield, ndërsa në karrierën e tij ka patur fatin të veshë fanellën e Real Madrid, Roma e Boca Juniors.

Samu Castillejo përgatit largimin nga Milani në janar. Mesfushori 25-vjeçar ka përfunduar jashtë planeve të trajnerit Pioli, i cili e përdor vetëm si zëvendësues. Destinacioni i radhës pritet të jetë sërish kampionati spanjoll, aty ku ka admirues, teksa Sevilla dhe Atl. Madrid janë vënë në gjurmët e tij. Për “Los Colchoneros” është operacion më i vështirë, pasi duhet të lirohen nga Thomas Lemar, ndërsa Sevilla mund të përsërisë operacionin “Suso”, huazim me të drejtë blerjeje të detyruar.

 

Te Interi pritet të ketë ndryshime në janar. Zikaltrit prej kohësh mendojnë për mbrojtësin Izzo, të cilin duan të shkëmbejnë me Mattia Vecinon, por te Torino kanë një tjetër plan, pasi duan Radja Nainggolanin. Mesfushori pëlqehet shumë nga trajneri Giampaolo, i cili ka kërkuar përforcime për mesfushën dhe për Nainggolanin ka një spirale, duke qenë se lojtari nuk luan rregullisht me Conten. Nuk përjashtohet që shkëmbimi mund të ndryshojë nga Izzo-Vecino në Izzo-Nainggolan, duke kënaqur të gjitha palët.

Junior Firpo po kalon një situate të vështirë te Barcelona. Mbrojtësi, i cili duhej të ishte alternativë e Jordi Albas, nuk aktivizohet, madje Koeman përdor një mbrojtës të djathtë si Dest në pozicionin e tij. 24-vjeçari ka një kontratë të gjatë dhe në mungesë të ofertave serioze mund të huazohet në janar me kërkesë të vetë mbrojtësit. Admiruesit e tij nuk mungojnë, me Napolin dhe Interin në Itali apo me Sevillan dhe Betisin në Spanjë, por duhet bindur klubi katalan, i cili synon ta shesë për shkak të vështirësive financiare.

NA NDIQ NË FACEBOOK