Lajme
Ralf Gjoni: Shqipëria duhet ta njohë me akt zyrtar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës

Deputeti i pavarur i Shqipërisë, Ralf Gjoni, ka folur rreth propozimit të rezolutës ku Shqipëria do të dënonte krimet e serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Gjoni shprehet se mosnjohja zyrtare nga ana e Shqipërisë e krimit serb në Kosovë, është problem real, njofton Klan Kosova.
”Nuk është një propozim edhe i Deputetit Gjoni, por ishte një propozim i imi në fillim për një rezolutë, dhe në përgjigje e Taulant Ballës ku reagoi përsëri duke evituar çështjen e rezolutës dhe duke filluar lojën tipike të Tiranës, atë të ping-pongut”.
”Nuk e di nëse në Prishtinë luajnë ping-pongun, por këtu në Tiranë e kemi specialitet ping-pongun politik”.
”Partia Socialiste dhe Partinë Demokratike vazhdojnë lojëra dhe akuza me njëri-tjetrën duke tentuar të largojnë vëmendjen nga problemi real”.
”Problemin real, është se Shqipëria ende nuk e ka njohur krimin serb në Kosovë, si gjenocid”.
”Njohja e gjenocidit kërkon akte zyrtare të shtetit, shteti flet me akte jo thjeshtë me deklarata në parlament apo në media dhe si i tillë Kuvendi i Shqipërisë duhet të shprehet përmes një rezolute së pari dhe më pas të përdorim gjithë mekanizmat e tjerë me qëllim që Shqipëria të marrë atë vendin që meritojnë shqiptarët bashkë me Kosovën në sytë e botës”.
”Është një dëshirë e imja e sinqertë që ne të shohim interesat tona më shumë se gjithçka tjetër”.
”Kam qenë kundër që në fillim sepse më është dukur e pavend ngritja e një Gjykate Speciale ku gjykon ish-komandantët e UÇK-së”.
”Ajo ka qenë një luftë e shenjtë, e drejtë për të mbrojtur qindra mijëra viktima të pafajshme të kriminalitetit të organizuar të shtetit serb”.
”Sot ish- ministri për Informacionin i Sllobodan Millosheviqit është president i Serbisë dhe është duke negociuar me BE-në kapitujt për të avancuar për integrimin europian”.
”Unë mendoj dhe besoj fort dhe nuk do rresht së përsërituri këtë tezë që ”nuk ka kosovarë e shqiptarë” – ne jemi shqiptarë të gjithë. Ne duhet të flasim shqip, jo me gjuhën e të huajve – duhet t’iu largohemi këtyre kontesteve të inferioritetit”.
”Për këtë arsye nevojitet një bashkërendim i politikave tona. Por së pari duhet një ribashkim i forcave politike mes njëra-tjetrës këtu në Tiranë e më pas edhe në Prishtinë”.
Sipas tij Gjykata Speciale është antishqiptare dhe se Shqipëria e Kosova nuk duhet ta njohin, njofton Klan Kosova.
”Kjo gjykatë për mua është antishqiptare në thelb dhe nuk duhet ta njohim. Nëse amerikanët kanë bërë disa luftëra në dy – tre dekadat e fundit, ushtarët amerikanë mund të kenë marrë pjesë”.
”Por amerikanët nuk i lëshojnë ushtarët e tyre në duart e një gjykate ndërkombëtare. Kjo gjykatë do t’na ndjekë nga pas si një hije e zezë, si një fantazmë e keqe, duke na prishur imazhin tonë para ndërkombëtarëve.
Ai pret që të fitojnë lidhur me këtë propozim, meqë thotë se nuk do ndalojnë me kaq, njofton Klan Kosova.
”Ne do vazhdojmë betejën tonë. Partia Socialiste po mundohet të hapë një Komision Hetimor në parlament për të bërë politikë ping-pongu me Lulzim Bashën, liderin e dështuar të PD-së. Është çështje konsumi i brendshëm i politikës shqiptare”.
”Unë kam bërë thirrje që të lihen me një anë interesat e ngushta. Unë nuk jam optimist, por jam shpresëplotë që do të arrijmë të gjejmë mjaftueshëm gjëra për ta miratuar këtë rezolutë”.
”Rezoluta në Parlament nuk është që do ndryshojë ndonjë gjë të madhe, por është një qëndrim zyrtar i Republikës së Shqipërisë”.
”Shqipëria pavarësisht partisë politike në pushtet, ne na ka prishur shumë punë ai kontesti i inferioritetit”.
”Ne kemi nevojë për lider dhe udhëheqës politik dhe një nga këto biseda që duhet ta kishim pasur ishte që ne ”jo nuk duhet të pranojmë një Gjykatë Speciale”’.
”Shqipëria nuk e ka bërë rolin e saj, dhe nuk po vazhdon ta luaj mjaftueshëm rolin e saj vetëm se udhëheqësit tanë janë të korruptuar”.
.



















