Sport
Muriqi: Emocionohem sa herë vij në Shqipëri, te Lazio kam nevojë edhe për pak kohë!


I lumtur për rikthimin te Kosova Vedat Muriqi komentoi në mikrofonin e Supersport sfidën ndaj Shqipërisë, duke folur edhe eksperiencën e deritanishme te Lazio.
“Ndihem mirë. Pata nja 2 muaj të vështirë në aspektin psikologjik. Kisha një lëndim muskulor, më pas erdhi Covidi, kështu që humba përgatitjet me Fenerbahcen dhe Lazion.Ndihem disi më mirë, por kam nevojë për t’u ambientuar te Lazio, më nevojitet edhe pak kohë. U ktheva te goli me Kosovën pas një viti, rezultati nuk kishte rëndësi as për ne dhe as për Shqipërinë”.
“Ishte një ndeshje e mirë, vëllazërore dhe i uroj suksese të dy skuadrave në të ardhmen. Shteti dhe kombëtarja ngelen gjithmonë, emrat vijnë dhe ikin. Më ka munguar shumë Kosova, kemi një shoqëri të mirë me njëri-tjetrin. Jam rikthyer tani dhe shpresoj të vazhdoj të jap 100% tim, siç e kam bërë edhe më parë. Luajta rreth 2 vite e gjysmë te Teuta dhe Besa në Superiore. Kam qenë i lumtur, jam ndjerë si në shtëpinë time, edhe pse ka pasur momente të mirë dhe jo të tilla. Kujtoj gjithçka sa herë kthehem këtu, e ndjej veten shumë emocional sa herë vij në Shqipëri“, përfundoi Vedat Muriqi.






















