Connect with us

Sport

Mourinho, ironik  në Instagram: Javë fantastike futbolli!

Publikuar

Kjo pauzë e kampionateve prej ndeshjeve të kombëtareve nuk i ka pëlqyer askujt. Lojtarëve dhe drejtuesve të klubeve europiane. E natyrshme po të mendosh që klubet edhe në situata normale nuk i kanë pritur me kënaqësi grumbullimet e kombëtareve, lëre pastaj në kohët e COVID-i. Jose Mourinho, gjithnjë e më prezent në rrjetet sociale, ka zgjedhur
Instagramin për të thënë të tijën, në mënyrë të veçantë dhe sarkastike, duke shkruar në një postim:

“Një javë fantastike futbolli. Emocione të mëdha në ndeshjet e kombëtareve, miqësore të shkëlqyera dhe siguri totale”.

Mourinho merr shtysë nga episodi i pazakontë i mbrojtësit kroat, Domagoj Vida, të cilit iu bë e ditur se kishte rezultuar pozitiv me Koronavirus në pushimin mes pjesëve në ndeshjen që po luante kundër Turqisë, si dhe grumbullimit aspak hermetik të Koresë së Jugut, me një foto që po qarkullon në rrjetet sociale, në të cilën shihet një person i jashtëm nga personeli që vrapon anës fushës, ndërkohë që kombëtarja aziatike kryen seancën stërvitore.

“Rezultatet e testeve që vijnë pasi ndeshjet janë luajtur, njerëz të rastësishëm që vrapojnë ndërsa kryhen seanca stërvitore e shumë e shumë të tjera”, shkruan Mourinho. Vështirë të mos t’i japësh të drejtë, të paktën në këtë rast.