Sport
Ikonat e Tiranës vlerësohen nga Presidenti me titullin “Mjeshtër i Madh”


Në vijim të nderimeve me rastin e 100-vjetorit të klubit të Tiranës, Presidenti i Rebublikës, Ilir Meta vlerësoi disa nga futbollistët më të spikatur të këtij ekipi, të cilët me lojën dhe shpirtin e tyre të garës “kujtohen me shumë dashuri nga të gjithë sportdashësit bardheblu dhe kuqezi”.
“U vlerësuan nga kreu i shtetit me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”:
- Osman Mema, anëtar i dinastisë së familjes së futbollit Mema, familje, e cila ndër vite ka nxjerrë futbollistë cilësorë e njerëz mjaft të respektuar. Osman Mema ka qenë një lojtar brilant, një mbrojtës i shkëlqyer i dinjitetit njerëzor, i vlerave sportive, qytetare dhe demokratike;
- Mesfushori i shkëlqyer, Bedri Omuri, me aftësitë e tij të spikatura kudo në fushën e blertë, një lojtar profesionist i klasit të lartë, që nga mbrojtja e deri golashënues befasues;
- I palodhuri dhe “mbreti” e krahut të djathtë, shpirti i skuadrës dhe i krosimeve preçize, sidomos drejt Mingës dhe Kolës, mjeshtri i topit, Millan Baçi;
- Golashënuesi i spikatur, mësuesi dhe trajneri i palodhur, Edmond Gëzdari;
- Futbollisti i talentuar, i palodhur, i paepur, lojtari korrekt dhe trajneri kampion Mirel Josa;
- Lojtari e niveleve të larta, me një kontribut të çmuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, Artur Lekbello apo siç e kemi njohur të gjithë, “Tushja”;
- Mbrojtësi energjik, lojtari i sukseshëm dhe kapiteni i jashtëzakonshëm i skuadrës, Krenar Alimehmeti.
Mirënjohje për emocionet e paharruara dhe për rezultatet e larta të arritura me shumë punë, përkushtim e sakrifica, që e lartësuan emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare sportive dhe i shndërruan këto emblema të sportit tonë në burim të përhershëm krenarie dhe frymëzimi për gjeneratat e reja të futbollistëve tanë,” – shkruan presidenti Ilir Meta në postimin e tij.























