Sport
Ibraimi: Superioria kampionat i fortë, jam i lumtur që jam pjesë e Kukësit!


Agim Ibraimi është njeriu i momentit te Kukësi. Me 3 gola të realizuar në 2 ndeshjet e fundit ai ka udhëhequr verilindorët drejt dy fitoreve radhazi. Një lojtar me eksperiencën e tij është një vlerë e shtuar për kampionatin shqiptar pasi bëhet fjalë për një futbollist që ka luajtur edhe në Serie A duke shënuar edhe 2 gola me fanellën e Cagliarit. Në një lidhje live me emisionin Zona Gol në Supersport, Ibraimi foli për karrierën e tij të deritanishme për Kukësin, ndërsa dha një mendim edhe për kualifikimin e Maqedonisë së Veriut në Euro 2020. Megjithatë fillimisht Ibraimi u ndal të fliste për emisionin Gol pas Goli pas ndeshjes ndaj Vllaznisë, ku qetësoi edhe tifozët e Kukësit përsa i përket dëmtimit të pësuar i cili nuk ishte shumë i rëndë.
Kukësi merr dy fitore radhazi – Besoj do t’i arrijmë synimet, por ka ekipe të forta si Laçi, Vllaznia, që luajnë bukur futboll dhe e dinë çfarë duan të arrijnë. Sezoni është i gjatë.
Fitorja me Vllazninë – Të gjithë treguam karakter. Pas atij rezultati 2-4 tregon se në ekipin tonë ka harmoni.
Dëmtimi – Kam ndjerë pak dhimbje dy ditë para takimit, të presim rezultatet nesër. S’besoj të jetë dëmtim serioz.
Gabimet te Kukësi – Duhet të jemi më të kujdesshëm. Të mos jemi të lehtë në dyluftime dhe në topin e dytë që kap sulmuesi kundërshtar. Por, hap pas hapi, po të zbatojmë rregullat e profesorit, do të jemi aty ku duhet.
Shënon në ndeshje pa tifozë – Është hera e parë që më ndodh, shpresoj të rregullohet sa më shpejt stadiumi i Kukësit. E dimë çfarë tifozësh ka. Shpresoj t’ia dalim ta kalojmë këtë gjendjetë rëndë.
Presidenti Gjici – Edhe kur kemi humbur na ka përgëzuar, sepse jemi ekip i mirë. Na duhej pak kohë për të ardhur te fitoret”, u shpreh Ibraimi.






















