Sport
E hëna e futbollit në Supersport spikat me Leeds-Leicester!


Pas 16 vjetësh Leeds United dhe Leicester City përballen sërish në kampionatin elitar anglez të klubeve, madje transmetuesit televizivë bashkë me organizatorët e Premier League-s iu kanë dhënë këtyre dy ekipeve edhe privilegjin për të mbyllur Javën e 7 në këtë kompeticion. Dy ekipet kanë patur afërsisht rendiment të njëjtë në gjashtë ndeshjet e para dhe skuadrat paraqiten në Jorkshirin Perëndimor pas sukseseve respektive të regjistruara në javën e fundit. Dy humbjet radhazi në King Power Stadium me kundërshtarë si West Ham dhe Aston Villa, për më tepër pa shënuar, “dhelprat” i shlyen në njëfarë mënyre duke mposhtur brenda në Emirates Arsenalin, falë një goli të realizuar në fund nga golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar Jamie Vardy. Në krahun tjetër zemërimin për disfatën në shtëpi me “ujqërit” e Wolverhampton-it “The Whites” ia nxorrën Aston Vilës në Birmingham, ku shkëlqeu sulmuesi Patrick Bamford, që është njëherësh edhe golashënuesi më i mirë në radhët e Lidsit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur argjentinas ka krijuar një profil të vecantë dhe është në gjendje të luajë si e barabartë edhe me ekipet më të mirë në Premiership. Leeds United ka shënuar plot 12 gola në këtë start Premier League-s dhe për hir të së vërtetës kishte që nga sezoni i largët 1992-93 që një skuadër e ngjitur nga Championship-i nuk shënonte kaq shumë në 6 sfidat e para të kampionatit anglez. Problemi më i madh i ekipit nga Jorkshiri Perëndimor është se Lidsi e ka të vështirë të ruajë të paprekur rrjetën kur luan në Elland Road. Skuadra ka treguar goxha karakter duke u matur me më të mirët e Premier League-s, megjithatë ekipi i Marcelo Bielsa-s nuk është në gjendje të reagojë apo të kthejë disavantazhin, nëse pëson gol. Në anën tjetër ekipi i drejtuar nga trajneri Brendan Rodgers mbetet vërtet shumë i paparashikueshëm.
Kështu “dhelprat” kanë thyer cdo parashikim duke fituar në Etihad dhe Emirates respektivisht ndaj Manchester City-t dhe Arsenalit, megjithatë skuadra e Brendan Rodgers-it është mundur pikërisht në ndeshjet ku është paraqitur si favorite me West Ham-in dhe Aston Villa-n, për më tepër brenda në Leicestershire. Në 9 ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon në të gjithë kompeticionet, pra Premiership, Carabao Cup apo dhe Europa League ekipi i Leicester-it nuk e njeh fare barazimin. Në këtë sezon Leicester City është treguar i papërmbajtshëm larg Stadiumit King Poëer dhe në fakt jashtë fushe forcën e ekipit të drejtuar nga 47-vjecari nga Irlanda e veriut e kanë provuar me radhë ekipe si West Bromëich Albion, Manchester City, Arsenal apo dhe AEK.
Pra “dhelprat” në këtë sezon kanë fituar 4 nga 4 ndeshjet e luajtura larg Leicestershire-t, duke shënuar madje afërsisht trecerekun e golave në pjesën e dytë, gjë që konfirmon qartë edhe një formë të shkëlqyer në aspektin fizik. Bielsa nuk do të ketë në dispozicion përsëri mesfushorin e talentuar të përfaqësueses së “tre luanëve” Kalvin Phillips, që kërkohet me ngulm prej kohësh nga klube si Liverpool dhe tottenham Hotspur, ndërkohë në krahun tjetër Rodgers ka me probleme fizike lojtarë të tillë si Timothy Castagne, Wilfred Ndidi, Ricardo Pereira, Daniel Amartey dhe Caglar Soyuncu, ndërsa për qendërmbrojtësin Jonny Evans pritet që trajneri irlandezo–verior të vendosë vetëm pak caste para fillimit të takimit. Lidsi ka fituar në shtëpi vetëm 1 nga 7 sfidat e fundit ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet, ndërsa Leicesteri ka triumfuar në 5 nga këto 7 ndeshje, takime të luajtura në Championship, League One apo qoftë edhe në Kupën e Ligës, gjithsesi bëhet fjalë për 5 fitore të vuajtura dhe të siguruara me thjesht një gol të vetëm diferencë. Takimi do të mbahet në orën 21:00 në Stadiumin Elland Road dhe do të drejtohet nga kryesori Andre Marriner.
Po ditën e hënë në Supersport do të mund të ndiqet edhe dueli Verona–Benevento. Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:45 në Stadiumin Bentegodi, me verdheblutë që kanë probleme të mëdha më mungesat, gjithsesi dy klubet ritakohen në Serinë A sërish pas sezonit 2017-18 kur në fakt këto ekipe respektuan më së miri faktorin fushë në përballjen ndërmjet tyre. Ndërkohë nëpërmjet Kanalit Eurosport 2 të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për të ndjekur gjithashtu edhe duelin përmbyllës të javës së gjashtë të Bundesligës Hoffenheim–Union Berlin, që do të mbahet në Sinsheim në orën 20:30.


















