Connect with us

Sport

E dielë magjike në Supersport, spektakël i garantuar në sfidat Lazio-Juve dhe Atalanta-Inter!

Publikuar

Starti i edicionit 2020-21 do të kujtohet si një fillim sezoni tepër impenjativ për kampionët në fuqi të Italisë, sepse pas duelit me Romën dhe takimit të fituar në tavolinë me një kundërshtar si Napoli, Juventusi do të masë forcat me Lacion që në javën e shtatë të Serisë A. Pra nga faza e parë në letër mungojnë thjesht ekipe si Milan, Inter apo dhe Atalanta, ndërsa për pjesën e mbetur shumë do të varet nga racionimi i forcave apo zgjedhjeve që do të bëjë trajneri Andrea Pirlo. Natyrisht gjithcka ndryshon me rikthimin në fushë të yllit të skuadrës Cristiano Ronaldo, jo më kot edhe momenti i kthesës për bardhezinjtë erdhi pikërisht në kohën kur 35-vjecari portugez nxorri nga trupi virusin Covid–19.

“Zonja e vjetër” u rikthye shpejt në rrugën e duhur falë fitoreve identike 4-1 ndaj Spezia-s dhe Ferencvaros-it, duke përmirësuar ndjeshëm pozitat si në kampionat ashtu edhe në fazën e grupeve në Champions, ku për hir të së vërtetës Juventusi nuk pritet të hasë shumë vështirësi për t’u kualifikuar për në fazën tjetër bashkë me skuadrën e Barcelonës. Kampionët në fuqi udhëtojnë drejt kryeqytetit për të siguruar 3 pikët e radhës, duke përfituar në këtë mënyrë edhe nga problemet e mëdha që ka trajneri Simone Inzaghi me kontigjentin e futbollistëve. Shumë lojtarë janë në dyshim, ndërsa një pjesë e futbollistëve është jashtë për shkak të problemeve të ndryshme fizike, kështuqë të gjithë presin me kureshtje për të parë në fund formacionin titullar që do të rreshtojë në fushë 44-vjecari nga Emilia–Romagna.

Në krahun tjetër gjërat janë vërtet shumë më të thjeshta dhe trajneri Andrea Pirlo nuk ka në dispozicion vetëm treshen De Ligt – Alex Sandro – Ramsey, ndërkaq mediat italiane japin të sigurtë dyshen Ronaldo – Moratta përpara dhe Dybala-n në stol, ndërsa Kulusevski mund ta nisë ndehsjen nga minuta e parë. Sigurisht që 41-vjecari nga Brescia ka luksin për të zgjedhur, krejt ndryshe nga Lazio që ka fituar vetëm 1 nga 3 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet. Kthimi i jashtëzakonshëm i Stadiumit Olimpik të Torinos ngjan së tepërmi me përmbysjen e madhe të 11 muajve më parë, kur bardhekaltërit përmbysën Cagliari-n brenda në Sardenjë. Ndaj Torinos Immobile dhe Caicedo kthyen në mënyrë fantastike disavantazhin pikërisht në minutat 95 e 98, duke i dhuruar klubit të njohur roman fitoren e 1000 në Serinë A, pra plot 91 vjet e 26 ditë nga fillimi i kampionatit italian me formatin që luhet edhe në kohët e sotme.

Ndeshja luhet në Qytetin e Përjetshëm, megjithatë miqtë kanë marrë zemër, pas fitores së parë jashtë fushe në kampionatin italian si dhe dy sukseseve radhazi me minimalisht katër gola të shënuar, dicka që për herë të fundit ishte regjistruar 50 muaj më parë. Trajneri Simone Inzaghi ka gjetur shpeshherë mënyrën për të neutralizuar lojën e bardhezinjve, por gjithsesi këtë herë zgjedhjet e tij duken tepër të kufizuara. “Zonja e vjetër” do të zbresë në Olimpico në orën 12:30 e gatshme për të marrë hak për disfatat radhazi në Superkupë, pa harruar gjithashtu edhe faktin që bardhekalëtrit kanë fituar 2 nga 3 sfdiat e fundit ndërmjet tyre, në të gjithë kompeticionet. Kjo e dielë është tepër e pazakontë dhe në Supersport është vërtet një kalendar shumë i ngjeshur, por arsyeja kuptohet, sepse sic dihet futbollistët në vazhdim do të largohen përkohësisht nga klubet e tyre për t’iu bashkangjitur skuadrave përfaqësuese respektive. Kështu në mbrëmje në orën 21:00 spikat dueli Valencia–Real Madrid. Dikur një klasike e futbollit spanjoll, ndërsa ditët e sotme ka humbur shumë nga sharmi i dikurshëm për shkak të problemeve të tmerrshme që po përjeton klubi i Valencias. Në Itali në orën 20:45 kryesuesit e Milanit presin në Stadiumin Giuseppe Meazza Veronën, ndërsa cerek ore më vonë në Le Championnat do të luhet derbi i zjarrtë Lyon–St. Etienne.

Në Serinë A në orën 18:00 Napoli do të vizitojë Bologna-n në Dall’Ara, ndërsa më herët në orën 15:00 premtojnë spektakël dy sfidat Atalanta–Inter dhe Genoa– Roma. Në Spanjë kryesuesit e Sociedad-it do të presin në orën 16:15 në San sebastian Granadën, ndërsa në Eredivisie PSV Eindhoveni do të masë forcat në orën 20:00 në Philips Stadion me klubin nga Tilburgu Willem II. Në Angli interes ngjall gjithashtu edhe dueli i orës 20:15 Arsenal – Aston Villa, ndërkohë në Supersport nuk mund të mungojnë as ndeshjet e Bundesliga-s, që ofron sfidat Wolfsburg–Hoffenheim në orën 15:30 dhe Leverkusen – Gladbach në orën 18:00, ndeshje të cilat të gjithë të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur nëpërmjet kanalit Eurosport 2.

 

 

 

NA NDIQ NË FACEBOOK