Lajme
Drejtoria e të Ardhurave Publike me asnjë shkronjë në Gjuhën Shqipe/ Ja si arsyetohet Zëvendësdrejtori shqiptar

Përdorimi i Gjuhës Shqipe në institucionet e Maqedonisë e Veriut ende nuk po gjen zbatim në një pjesë të konsiderueshme të të drejtorive apo edhe ministrive. Arsyetimet janë nga më të ndryshmet, prej te mungesa e kuadrit për përkthim deri tek vonesa e procedurave, por ajo që në përgjithësi dihet është mungesa e vullnetit tek drejtuesit e institucioneve dhe paaftësia e kuadrove shqiptare për të kryer ndryshimet, shkruan in7.
Së fundmi, tek Drejtoria për të Ardhura Publike në konkurset e shpallura për ndihmë të kompanive vendore në lidhje me paketën financiare gjatë pandemisë, asnjë shkronjë nuk është në gjuhën shqipe. As faqja zyrtare e kësaj drejtorie nuk funksionon në gjuhën shqipe. Madje, ueb faqja e DAP funksionon edhe në gjuhën angleze, por drejtuesit nuk e kanë parë të arsyeshme që e njëjta të jetë edhe në gjuhë shqipe.
Drejtues i këtij institucioni është Sanja Llularevska nga LSDM, ndërsa për zëvendës të saj është emëruar AbdulSelam Selami nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Para Selamit në këtë detyrë ka qënë poashtu kuadër i BDI’së nga Tetova, Naser Demiri.
Zëvendësdrejtori aktual, Selami në pyetjen e in7 për mospërdorimin e shqipes në këtë institucion, për komunikimin me qytetarët në rrjetet sociale apo edhe ueb faqen zyrtare të DAP’it vetëm në maqedonisht, u përgjigj shkurtimisht.
“Unë jam i emëruar në këtë pozitë vetëm prej dhjetë ditësh“, thotë Selami, duke bërë me dije se për kaq pak kohë nuk mund të bëhet një ndryshim kaq i madh.
Por nëse për Selamin është herët, atëherë çfarë ka bërë ish drejtori Demiri për këtë çështje, i cili në këtë pozitë ka qënë prej vitit 2015!?
Ligji për përdorimin e gjuhëve u soll me shumë bujë dhe pas shumë pengesave politike dhe procedurale, ndërsa zbatimi i tij po shkon shumë ngadalë.
” Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj”, shkruan Neni 1, pika 3 e Ligjit për përdorimin e gjuhëve./in7.tv/



















