Lajme
Drejtori i MALMED, Lirim Shabani që po përkujdeset që sa më shpejt të vjen vaksina anti-Kovid në Maqedoni

Drejtori i Agjencisë së Ilaçeve dhe Pajisjeve Mjekësore (MALMED), Lirim Shabani bën të ditur se ilaçi “Favipiravir” pritet të arrijë së shpejti në vend, i cili sipas studimeve klinike botërore, jep efekte pozitive në trajtimin e koronavirusit.
Sipas tij, ky ilaç është miratuar nga Agjencia për ilaçe dhe shitet me emra të ndryshëm tregtarë: “Avigan” nga Japonia dhe “Favira” nga Turqia.
“Një nga kompanitë me siguri do ta sjell ‘Aviganin’, ilaçin origjinal nga Japonia, e kur do të jetë kjo, varet prej kushteve teknike. Ata kanë leje që sot, që nesër ta sjellin, por kur do të sjellin, kjo nuk varet nga ne. Kompania tjetër dëshiron ta importojë ilaçin ‘Favira’ nga Turqia dhe ne edhe atë e miratuam pasi i kontrolluam të gjitha çertifikatat. Turqia është më afër dhe me siguri më shpejtë do të jetë i qasshëm tek ne. Ilaçi pritet së shpejti të arrijë në shtet”, tha Shabani.
Ai potencoi se javën paraprake kanë marrë kërkesë nga ana e mjekëve specialistë dhe me letër të aryestimit për shfrytëzimin e ilaçit në shtet, menjëherë kanë vepruar, i kanë shqyrtuar të gjitha kërkesat. Më në fund, të premten, sqaroi ai, u plotësuan të gjitha kushtet në pjesën e kontrollit të çertifikatave dhe të gjitha obligimet tjera ligjore dhe morëm mendim edhe nga Komisioni për sëmundje infektive, që në fund të vendosim atë ilaç ta miratojmë si import intervenues në shtet.
“Dedikimi kryesor i ilaçit, qëllimi kryesor nuk është koronavirusi, por është për tjetër gjë. Ai përdoret tani gjashtë vite në Japoni. Përvojat, studimet profesionale, studimet klinike, që i bëjnë në tërë botën, tregojnë se jep efekte pozitive gjatë trajtimit të shërimit të koronavirusit. Mjekët tanë atë e konfirmojnë dhe me kërkesë të tyre dhe mendim ekspert, ne e miratuam. Ilaçi do të shpërndahet kryesisht në spitale”, tha Shabani.
Lidhur me atë nëse ka paralajmërim për import të ndonjë ilaçi tjetër, ai tha se tani për tani e presin vaksinën kundër Kovid-19.
“Të gjithë jemi në pritje që të fillojë shpërndarja e vaksinës kundër koronavirusit dhe ne sa më shpejtë të marrim numër të caktuar të sasive. Në atë moment kur të arrijnë ato sasi në shtet, ne do të kemi rregulla se si atë ta realizojmë deri në fund”, shtoi Shabani. (INA)

















