Lajme
Artan Grubi: Lajmi për akuzat kundër Ahmetit, i rremë

Zëvendëskryeministri Artan Grubi në profilin e tij në Fejsbuk i demantoi pohimet se Gjykata Speciale, me seli në Hagë, ka ngritur akuzë kundër kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
“Propaganda dashakeqëse dhe nxitëse kundër kryetarit Ali Ahmeti dhe përpjekjeve të kombit shqiptar për liri dhe pavarësi nuk ka të ndaluar. Lajmi i rremë i një portali pro-opozitar shqiptar për gjoja aktakuzë kundër z. Ahmeti është dëshmia më e mirë për qëndrimin e tyre të vazhdueshëm ndaj zhvillimeve të fundit dhe luftës çlirimtare të kombit shqiptar”, shkruan Grubi.
“Ata që ia duan të keqën shqiptarëve dhe UÇK-së dhe porositësit e lajmeve të rreme bëjnë mirë të përmbahen nga shpifje të tilla sepse këtë nuk do t’ua fal as e kaluara, as e sotmja, as e nesërmja, por do të mbetën me njollën e merituar”, shton Grubi në statusin e tij në Fejsbuk.
Ndryshe, një portal në gjuhën shqipe publikoi se Gjykata speciale ka ngritur akuzë kundër Ahmetit, duke shtuar se tani për tani ende nuk janë publikuara informata zyrtare.
















