Lajme
Ali Ahmeti: Bashkëluftëtarët e mia do ta dëshmojnë luftën e drejtë të UÇK-së

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane, shkruan në reagimin e tij lideri i BDI, Ali Ahmeti, pas zhvillimeve në Kosovë.
“Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare. Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tonë”, shprehet Ahmeti.
Sipas tij, të gjitha të arriturat tona në këto dekada i kemi realizuar bashkarisht me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkarisht, duke respektuar vlerat e përqafuara nga të gjithë ne, edhe do ta përfundojmë rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit.
“Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësise në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa me te shpejtë në detyrat e tyre që i presin””, shkruan Ahmeti pas ngritjes së aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Sot, Hashim Thaçi dh a dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës. Ky vendim erdhi pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.




















