Sport
Alaba drejt largimit nga Bayerni: Rinovimi? Shifrat të pavërteta, më kanë goditur me grusht fytyrës!


David Alaba dhe Bayern Munich po shkojnë drejt ndarjes përfundimtare. Fjalët e presidentit Herbert Hainer se klubi nuk do t’i bëjë më asnjë ofertë mbrojtësit austriak për rinovimin e kontratës është një dëshmi e qartë se mbyllja e bashkëpunimit është afër dhe në janar, bavarezët mund të vendosin ta shesin për të mos e humbur me parametër zero. Gjithsesi nëse drejtuesit e Bayernit presin një përgjigje nga Alaba në harkun e 7 ditëve nëse do të pranojë ose jo ofertën e fundit për të rinovuar, vetë lojtari është pesimist për gjetjen e një marrëveshjeje pasi trajtimi që i ka bërë klubi nuk i ka pëlqyer aspak 28-vjeçarit.
Alaba ka vendosur të flasë për Sky Sport në lidhje me këtë temë, aty ku rrëfen versionin e tij. “Respekti dhe vlerësimi që kam kërkuar në fillim të bisedimeve për rinovimin e kontratës, ka munguar. Po flas për një vit më parë, para se të shpërthente pandemia. E njëjta situatë vazhdoi edhe më vonë. Drejtuesit e Bayernit më telefonuan më pas, duke më thënë nëse pranoja një shkëmbim me një lojtar tjetër. Ishte si të pësoja një grusht fytyrës“, deklaron lojtari i korsisë së majtë, duke iu referuar një shkëmbimi me Leroy Sane, atëherë pjesë e City-t. Alaba dhe agjenti i tij e refuzuan këtë opsion, pasi preferonin një transferim në La Liga nëse nuk arrihej akordi i rinovimit. “I mësova në gazeta fjalët e presidentit. Kam theksuar gjithmonë që bisedat mes nesh duhet të mbeten brenda klubit. Në media kanë dalë shifra dhe shuma milionësh që gjoja kam pretenduar unë, por që nuk janë të vërteta. Drejtuesit e klubit nuk e kanë mohuar diçka të tillë. Veprimi i tyre më ka lënduar dhe zhgënjyer shumë“, thekson David Alaba.






















