OP / ED
Udhëheqja, më shumë privilegj apo përgjegjësi?!

Ka thënë i Dërguari i Zotit, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem: “Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për tufën e tij, prijësi i popullit është bari dhe përgjegjës për tufën e tij (popullin e tij) dhe burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për familjen e tij. Gruaja është bareshë e shtëpisë së burit dhe e fëmijëve të tyre dhe përgjegjëse për ta, shërbetori është bari i pasurisë së zotëriut të tij dhe përgjegjës i saj, pra gjithësecili prej jush jeni barinj dhe gjithësecili është përgjegjës për tufën e tij.” (Buhariu dhe Muslimi)
Fillimisht, edhepse nuk është tema jonë, shiko rradhitjen dhe numërimin e gjërave, gjegjësisht shpjegimin e konceptit, në këtë rast të përgjegjësisë në këtë hadith të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, filloi nga më e madhja dhe më e rëndësishmja duke shkuar tek më e vogla. Kështu, në të gjitha fjalët e tij, ka thesare dhe janë dritë në rrugëtimin e besimtarit në jetën e kësaj bote, e si të mos jenë të tilla kur Allahu tha: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij.” (Nexhm, 3)
Pra, secili nga ne në njërën apo formën tjetër jemi udhëheqës. Sundimtari, udhëheqës i popullit të tij, burri është udhëheqës i familjes së tij, gruaja udhëheqëse e shtëpisë së burrit të saj, shërbetori i zotëriut të tij, e që përfshihet çdokush nga ne. Por, të jesh udhëheqës, është privilegj apo përgjegjësi?!
Nuk ka mëdyshje, se të jesh prijës e udhëheqës është privilegj që Allahu u’a mundëson ca robërve të tij, të cilët nëpërmjet kësaj udhëheqjeje do të fitojnë kënaqësinë e Allahut dhe do të jenë prej grupeve të dalluara e veçuara tek ai në Ditën e dhënies së llogarisë, siç tha Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem: “”Janë shtatë grupe që Allahu do t’i fusë në Hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij: udhëheqesi i drejtë…” (Buhariu dhe Muslimi)
Do të thotë, mes gjithë grupeve, i Dërguari i Zotit, filloi me udhëheqësit, që nënkupton vlerën e tyre dhe privilegjin që do t’ua mundësoj Zoti i Lartësuar.
Megjithatë, në rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në rast të padrejtësisë, korrupsionit e keqmenaxhimit, ekziston vallë sanksionim i rreptë ?!
Ka thënë i Dërguari i Zotit, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem: “Secilit njeri të cilit Allahu ia jep (mundësinë) që të jetë kompetent për shtetasit e tij, kur të vdesë, Allahu do t’ia ndalojë hyrjen në xhenet nëse ai i mashtron shtetasit e tij.” (Buhariu dhe Muslimi)
Në versionin e Muslimit thuhet: “Secilit prijës të cilit i besohen punët e muslimanëve dhe ai nuk e jep mundin e tij për ta e as që i këshillon ata, ai nuk do të hyjë me ta në xhenet.”
E synimi dhe qëllimi më madhor, qëllim mbi qëllim për besimtarin është vendosja e këmbës së tij në Xhenet, e çfarë privimi do të ishte më i madh nga ana e Allahut kundrejt nesh se sa privimi nga Xheneti i Tij?! Andaj, o udhëheqës, o politikan e drejtues i cili i mashtron njerëzit me pretekstin për këmbim të gjërave materiale e përfitimeve të kësaj bote, kij parasysh këtë hadith përgjatë mandatit e udhëheqjes tënde.
Ka thënë i Dërguari i Zotit, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem: “Allahu im, kujt i besohet udhëheqja mbi umetin tim dhe ai ua vështirëson atyre, vështirësoja edhe Ti atij, ndërsa kujt i besohet udhëheqja mbi umetin ti dhe ai ndaj tyre është i butë, bëhu edhe Ti i butë ndaj tij.” (Muslimi)
Ti deputet, që me votën tënde e mundëson krijimin e shumicës parlamentare për miratimin dhe aprovimin e ndonjë ligji i cili ua vështirëson gjendjen njerëzve, ti minister i cili udhëheq dikasterin tënd dhe me vendimet e tua në ministri ua vështirëson gjendjen njerëzve, ti drejtor i cili udhëheq institucion dhe me vendimet tua u’a vështirëson gjendjen të punësuarve, ti kryetar komune i cili udhëheq ndonjë komun të caktuar dhe vendimet tua brenda komunës bëhen shkak që t’ju vështirësohet gjendja njerëzve, Allahu do t’ua vështirësojë gjendjen tuaj dhe të gjithë ju udhëheqës, që me postin tuaj politik e shoqërorë, nuk i’u kaploi mendjemadhësia, lakmia e joshjet dhe mashtrimet, qëndruat të palëkundur përballë sfidave dhe vështirësive dhe ishit të butë ndaj njerëzve, përgëzim, përgëzim për ju sepse edhe i Dërguari i Allahut bëri dua ndaj jush që edhe Allahu të jetë i butë ndaj jesh, e duaja e të Dërguarit të Allahut, pranohet tek Ai.
Udhëheqës, kur ty kujdesesh për nevojat, hallet dhe brengat e varfërinë e popullit tënd, edhe Allahu do të kujdeset për nevojat e tua në Ditën e Gjykimit.
Thotë i Dërguari i Zotit, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem: “Atij të cilit Allahu ia jep pushtetin mbi muslimanët dhe ai shkujdeset ndaj nevojave mangësive dhe varfërisë së tyre, Allahu nuk do t’ua varë nevojave të tij, mangësive dhe varfërisë në Ditën e Gjykimit.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu). Pasha Allahun, nevojat e tua për Allahun në Ditën e Llogarisë janë shumëfish, e as që mund të krahasohet, më të mëdha se sa nevojat e njerëzve për ty në këtë botë.





















