Connect with us

Kosovë

Thaçi i përmbushi VV-së dëshirën për largimin e Çitakut nga Washingtoni: A janë këto fjalë prapa vendimit?

Publikuar

Presidenti Thaçi ka nënshkruar dje dekretin që e largon ambasadoren Vlora Çitaku nga misioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – duke e realizuar kësisoj dëshirën e Lëvizjes Vetëvendosje, më konkretisht, ish shefit të diplomacisë tonë z.Glauk Konjufca.

Por, si qëndronte situata në fillim të muajit mars kur edhe ishte marrë një vendim i tillë nga Vetëvendosje?

Në atë periudhë, Qeveria Kurti dhe kryediplomati Konjufca ishin kritikuar për këtë vendim që dukej se kishte prapavijë politike. Në anën tjetër, Çitaku kishte bërë për vete opinionin publik në Kosovë me paraqitjet e saj bindëse kundër Serbisë në mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përcjell Periskopi.

Megjithëse ky vendim duket paksa i pakuptueshëm, duke qenë se presidenti Thaçi nuk pajtohej me Vetëvendosjen në këtë pikë, reagimi i Çitakut më 3 mars mund të jetë mjeti që mundësoi një vendim të tillë.

Ambasadorja Çitaku në atë kohë nuk kishte pranuar që të bëhej pjesë e konfrontimeve politike të qeverisë me presidencën – duke e denoncuar një sjellje të tillë – dhe kishte thënë që me vullnet do të largohej nga misioni diplomatik.

“Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës.” – kishte thënë znj.Çitaku.

Megjithëse Qeveria e Kosovës tashmë nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje, ashtu si edhe Politika e Jashtme e vendit, largimi i Çtakut – bazuar në këtë reagim – duket se është bërë me dëshirën e saj.

Reagimi i plotë:

Përshëndetje nga Washingtoni,

Para pak orësh, në të njëjtën kohë me publikimin e lajmit në Facebook, kam pranuar në email njoftimin për kërkesën përmes së cilës Ministri i Punëve të Jashtme, z.Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës largimin tim nga detyra si Ambasadore e Republikës së Kosovës në SHBA.

Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe të shkarkojë ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar.

Megjithatë, besoj se e kam merituar një konsultim paraprak lidhur me propozimin në fjalë.

Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës.

Në këtë periudhë tranzitore do të mundohem të përmbushë të gjitha detyrat me përgjegjësi, ashtu siç kam bërë çdo herë.

Shpresoj që institucionet e Republikës së Kosovës të dakordohen shpejt për pasuesen/pasuesin tim.

Ambasadores/Ambasadorit që do të vijë pas meje, do t’ia ofroj bashkëpunimin tim të plotë dhe pa kursyer.

Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë që me nder dhe përgjegjësi t’iu shërbej tre Kryeministrave dhe dy Presidentëve.

Në SHBA e kam përfaqësuar Kosovën siç kam ditur më së miri.

Frymëzimi im gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten qytetarët e Kosovës, të cilët i kam përfaqësuar në Washington. Mesazhi im në kryeqytetin amerikan ka qenë pikërisht jehona e historive të tyre të rimëkëmbjes.

Nuk ka ambasador të përjetshëm. E përjetshme është vetëm Kosova dhe shërbimi për të”

NA NDIQ NË FACEBOOK