Kosovë
Snowdenit i jepet lejeqëndrim i përhershëm në Rusi

Ish kontraktori i sigurisë në ShBA, Edward Snowden, ka marrë garancinë për qëndrim të përhershëm në Rusi, ka thënë avokati i tij të enjten.
Snowden, ish kontraktor me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA), ka qenë duke jetuar në Rusi prej vitit 2013 për t’i ikur përndjekjes penale në ShBA pasi kishte rrjedhur dokumente të klasifikuara që tregonin detaje mbi programet qeveritare të mbikëqyrjes.
“Sot, Snowdenit i është dhënë leja e qëndrimit për një periudhë të pacaktuar kohore,” ka thënë avokati i tij Anadoly Kucherena, përcjell Periskopi.
Kucherena i tha agjencisë së lajmeve Interfax se aplikimi ishte bërë në muajin prill, por për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe masave kufizuese, iu desh më shumë kohë autoriteteve të emigracionit që ta shqyrtonin.
Ai tha se Snowdeni nuk ishte duke menduar për të aplikuar për nënshtetësi ruse për momentin.
Në anën tjetër Snowden ka thënë se ishte i gatshëm të rikthehej në ShBA nëse do t’i garantohej një proces korrekt gjyqësor. /Periskopi





















