Lajme
Përzgjedhja e kandidatëve në PD, ja çfarë thotë Topalli

Ish-drejtuesja e lartë e Partisë Demokratike, e cila tashmë ka nisur një lëvizje të re politike, Jozefina Topalli e komentoi për Euronews Albania si “të çuditshëm” me “vota për inate” procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në PD.
“Edhe në Afrikë votohet më i miri, është rast unik në botë, te konservatorët britanikë jo se jo, te ndonjë program televiziv mbase, por nuk kam dëgjuar ndonjë rast të votohet për inat dhe më i keqi,” – u shpreh Topalli.
“Kurrë nuk mund të ndodhë që ata anëtarë, ata demokratë që kanë kontribuar në vite që t’i nxjerrësh jashtë dhe t’u thuash që ty s’të do asnjë, s’të do populli. Kjo është metodë e vjetër që krijon si një luftë civile brenda një force politike që më trishton dhe më ka dhimbur,” – u shpreh Topalli.
E pyetur nëse do t’i bashkohej në zgjedhjet e vitit 2021 ndonjërës prej organizimeve të reja politike, Topalli tha se “askush s’e ka luksin të refuzojë tjetrin në një betejë me 3 kryetarë” duke nënkuptuar këtu udhëheqësit e partive më të mëdha të vendit, që sipas saj “duhen ulur nga pushteti”.
Ajo tha se “mund të ndodhë që më 25 prill” ata “mund të bëjnë një koalicion të përbashkët” dhe kjo sipas saj “do të ishte fatale për vendin pasi ata janë të korruptuar”.


















