Lajme
Përplasje mes Murrizit dhe ish deputetes së LSI-së, çeshtja përfundon në gjykatë

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj i është përgjigjur Myslim Murrizit, i cili një ditë më parë në parlament foli për aferën e inceneratorëve duke thënë se në 2016 është miratuar landfilli i Fierit, ku betonizimi është hedhur nga Fatmir Mehmetaj.
“Duhet bashkërendim me të gjithë institucionet e tjera, që të lejojë që asnjë Padrino të shkojë në mes të qytetit të Lushnjes dhe të ushtrojë aktivitet të paligjshëm dhe të ndosë të gjithë ambientin. Ai landfilli i Fierit është miratuar në vitin 2016 dhe këtu keni qenë bashkë me LSI-në. Katër ministra ka pasur LSI-ja, në një mirëkuptim të plotë me një portal, kur pashë një ish-deputete, që firma i babait të saj, Fatmir Mehmetaj, ka marrë miliona euro atje dhe ka hedhur betimin tek landfilli.
Mu shtua akoma më shumë besimi se plehrat zihen për plehrat. Siç është edhe një 6.2 milionë eurosh, gjoja për ujësjellësit e Divjakës, keni edhe një tjetër Pazar të përbashkët, me ata që keni qeverisur tek shqiptarët. Tregojuni shqiptarëve dhe jo atyre të tjerëve se si është e vërteta e 400 milionë eurove”, tha Murrizi.
Akuzave se babai ka marrë milionë euro për këtë i është përgjigjur vetë Kejdi duke e cilësuar Murrizin si “njeri të ulët që shitet për 5 lek dhe mbijeton duke pirë nga gjaku i të tjerëve”. Sipas Kejdi Mehmetaj, deputeti i opozitës parlamentare është kthyer në një atlete të përdorur të Ramës. Ish-deputetja theksoi se i ati nuk ka qenë kurrë në Verri ndërsa kërcënoi Murrizin se do të takohen në gjykatë për këtë deklaratë.
“Dy fjalë për Myslym Murrizin!
Ky njeri i ulët që nuk gëzon respektin e askujt e që nuk i kërkon dot votën as bashkëfshatarëve të tij. Ky njëri që shitet për 5 lek, e mbijeton si shushunjë duke pirë nga gjaku e djersa e të tjerëve duhet të mendohet mirë përpara se të përmend emrin tim e të familjes time.
E shoh që Edi Rama është trembur keq qoftë nga denoncimi i ashpër që po i bëjmë aferave si ajo e inceneratorëve e qoftë nga ekipi në rritje i LSI dhe ka ndërsyer qentë e tij të lehin lartë e poshtë, por këtë herë ka gabuar rëndë. Ndryshe nga Murrizi, që është kthyer në atlete të përdorur të Edi Ramës e që pranon me votën e tij në parlament çdo aferë e paligjishmëri, unë e familja ime jetojmë me dinjitet e karakter. Babai im nuk ka shkelur ndonjëherë në Verri, e jo më të ketë punuar për atë helm e vjedhje që po bëhet aty. Vazhdo shitu Myslym, se vetëm këtë di të bësh, me mua do të shihesh në gjykatë. Herë tjetër përpara se të përdoresh si mish për top, kërko ndonjë provë për broçkullat që nxjerr nga goja”, shkroi Mehmetaj në Facebook./faxweb














