Connect with us

Kosovë

Molliqaj e quan të pabesueshëm intervistimin e Zgjim Hysenit nga Policia shkaku i Speciales

Publikuar

Edhe kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas thirrjes që i ka bërë policia e Kosovës Zgjim Hysenit në lidhje me një aksion te zyret e Gjykatës Speciale në Prishtinë. 

Molliqaj e ka cilësuar një veprim të tillë nga Policia e vendit si të “pabesueshëm e absurd” derisa nuk hedhë poshtë që vendimi për thirrjen e Hysenit të jetë bërë nga trysnia e Gjykatës Speciale.

Ai thotë se anëtari i PSD-së është thirrur në polici për intervistim thjesht për shkak të një deklarate të dhënë për media pas aksionit në fjalë, përcjell Periskopi.

Edhe vetë Hyseni është shprehur i habitur nga veprimi i policisë së Kosovës.

PSD kishte mbajtur një aksion për të kontestuar ligjshmërinë e kësaj gjykate së cilës i ka skaduar mandati në fillim të verës së sivjetme.

Statusi i plotë:

PSD ka zhvilluar një aksion simbolik javën e kaluar. Shkuam tek zyrat e Dhomave të Specializuara në Prishtinë për të protestuar rreth vazhdimësisë së punës së tyre në kushte të mungesës së mandatit. Asgjë nuk ka ndodhur, aksioni është kryer pa asnjë incident.

Absurd dhe disi i pabesueshëm aktivizimi i Policisë së Kosovës për ta ftuar në intervistë Zgjim Hysenin. Ai është ftuar thjesht sepse ka dhënë prononcimin medial për ta treguar mesazhin e aktivitetit. Aksione të ngjashme përpara institucioneve tjera kemi zhvilluar tash sa kohë. Por ndjekje nuk kemi pasur, sepse nuk ka pasur arsye. Nuk dua të besoj që në çfarëdo forme kjo është trysni nga Gjykata Speciale. Nga kjo e fundit edhe do ta prisja, por institucionet e Kosovës nuk mund të bëhem zbatuese arbitrare të disiplinimit të qytetarëve që flasin e shkruajnë kundër kësaj Gjykate.

NA NDIQ NË FACEBOOK