Sport
Juventusi pa Ronaldon ndaj Veronas, Broja “shënjestron” PSV-në


Pas triumfit të mesjavës në “Olimpiyskiy” të Kievit, Juventusi i rikthehet shpejt kampionatit, ku si rrallëherë bardhezinjtë e shikojnë veten disi larg kreut. Natyrisht është vetëm fillimi i sezonit dhe “zonja e vjetër” ka zhvilluar vetëm katër takime gjithsej, sidoqoftë barazimi i fundit në Kalabri me një skuadër si Crotone nuk ka lënë përshtypje shumë të mira.
Deri më datën 8 nëntor kur bardhezinjtë do të masin forcat në “Olimpico” me Lazion, kampionët në fuqi kanë një kalendar tepër të lehtë, e përjashtim bën vetëm sfida me Barcelonën, që do të luhet menjëherë të mërkurën e ardhshme në qytetin e Torinos.
Përballë këtë herë qëndron skuadra e Veronës, që edicionin e kaluar e mbylli me plot 34 pikë më pak, gjithsesi këtyre anëve nuk është harruar ende sfida e fazës së dytë, kur verdheblutë përmbysën gjithçka në “Bentegodi”, me dy gola të realizuar në çerek orëshin e fundit të takimit, me anë të dyshes Borini – Pazzini.
Mbi të gjitha edicionin e kaluar ekipi i Veronës zhvilloi një kampionat dinjitoz, duke e mbyllur sezonin në dhjetëshen e parë të Serisë A, përpara klubeve me shumë më tepër emër si Fiorentina, Parma, Bologna, Sampdoria, Torino apo Genoa.
Për momentin Juventusi ka grumbulluar vetëm 8 pikë, madje fitorja me skuadrën e Gatuzos erdhi në tavolinë, si pasojë e mosparaqitjes së ekipit të Napolit në Piemonte. Pavarësisht rezultateve skuadra duket e qetë, për më tepër siç dihet mungon edhe ylli i skuadrës, si dhe golashënuesi më i mirë i ekipit Cristiano Ronaldo.
Me Andrea Pirlon në timon drejtuesit janë të ndërgjegjshëm që do të nevojitet shumë kohë që gjërat të funksionojnë vërtet sic duhet. 41-vjecari nga Brescia ka besimin e plotë të drejtuesve, dicka që është thelbësore në një marrëdhënie të tillë.
Ish-mesfushori i Juventusit Miralem Pjanic në një intervistë të dhënë deklaroi se Maurizio Sarri nuk kishte besim te vetë futbollistët. Mesfushori boshnjak që sezonin e kaluar nën drejtimin e Sarri-t u aktivizua në plot 30 ndeshje të Serisë A, shpjegoi se ndoshta ishte pikërisht marrëdhënia e trajnerit napolitan me senatorët e skuadrës që nuk funksionoi, prandaj edhe krerët e klubit vendosën që të ndryshojnë.
Me Sarri-n bardhezinjtë e mbyllën kampionatin me 6 gola më shumë krahasuar me një edicion më parë, megjithatë për hir të së vërtetës me veteranin napolitan në timon skuadra pësoi jo pak, por 13 gola më shumë se në sezonin 2018-19, ndërkaq edhe numri i pasimeve u rrit vërtet me 1.700 më tepër, por numri i pasimeve në zonën e kundërshtarit u ul në mënyrë të ndjeshme.
Takimi do të luhet në orën 20:45 dhe përvec Cristiano Ronaldo-s do të mungojë gjithashtu edhe Federico Chiesa, që u ndëshkua me karton të kuq në takimin me Crotone-n, sidoqoftë trajneri Pirlo nuk do të mund të mbështetet as te emra të tillë si De Ligt, Alex Sandro dhe Chiellini. Ndonëse vazhdon të luhet pa spektatorë verdheblutë vuajnë jashtëzakonisht shumë larg Venetos, madje ndaj tyre bardhezinjtë numërojnë plot 13 fitore rresht në Torino, në të gjithë kompeticionet.
Më herët në orën 18:00 në Serinë A Fiorentina do të presë në Firence Udinese-n, ndërsa në orën 15:00 në kampionatin italian do të zhvillohen gjithashtu edhe ndeshjet Benevento – Napoli e Parma – Spezia. Në Premier League spikat dueli Arsenal – Leicester City në orën 20:15, ndërsa në Le Championnat me shumë interes pritet takimi i mbrëmjes Lyon – Monaco.
Në Holandë kryesuesit e PSV Eindhoven-it do të vizitojnë në orën 14:30 Vitesse-n në Arnhem, ndërsa sulmuesi 19-vjeçar shqiptar Armando Broja, pas dopietës së shënuar një javë më parë, pritet të luajë sërish titullar dhe të kërkojë sërish golin edhe sot.
Në fund një hapësirë të vecantë në Supersport do ta ketë edhe Bundesliga. Kështu “ujqërit” e Wolfsburg-ut do të presin në orën 15:30 në Volkswagen Arena Arminian e Bilefeldit, ndërsa në orën 18:00 do të luhet takimi tjetër Werder – Hoffenheim, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.





















