Connect with us

Lajme

Intervista e Ministrit Hoxha për Faktor: Kriza e Covid 19 ka treguar rëndësinë e ushqimit vendor, si për qytetarët ashtu edhe për fermerët

Publikuar

Bujqësia si një nga degët më të përfaqësuara në ekonominë maqedonase është përballur me sfidat e veta me krizën e pandemisë nga koronavirusi. Nga njëra anë, kërkesa për ushqim u rrit, veçanërisht ajo e prodhimit vendas gjatë muajve të karantinës, dhe nga ana tjetër kishte pasiguri në lidhje me transportin, prokurimin e lëndëve të para dhe repro materialeve për kapacitetet e përpunimit, si dhe për mënyrën e organizimit të punës sezonale. Kjo periudhë solli gjithashtu shumë sfida për Ministrin e ri të Bujqësisë, Arjanit Hoxha, i propozuar nga Lëvizja BESA në qeverinë e koalicionit. Mes këtyre sfidave ishin edhe problemet që patën kultivuesit gjatë grumbullimit të rrushit, që kërkonte ndërhyrjen e shtetit. Gazetari i “Faktor” dhe Hoxha kanë diskutuar rreth qëllimeve strategjike për zhvillimin e bujqësisë në periudhën pas-korona, debatin e paralajmëruar mbi privatizimin e tokës bujqësore shtetërore dhe kushtet për investitorët, modelin e subvencioneve në drejtim të rritjes së tyre, jo vetëm si një masë sociale, por edhe për përdorimin e fondeve IPARD dhe kapaciteteve të fermerëve për të aplikuar për projekte.

Faktori: Që në fillim të madatit, sfida e parë e madhe me të cilën jeni përballur ishte grumbullimi i rrushit dhe problemet me të cilat përballen vreshtarët. Këto ishin pasojat e mungesës së strategjisë cilësore, të cilat ishin grumbulluar në vitet e kaluara, për të mbështetur vreshtarët dhe mbrojtjen e tyre në shpengimin arbitrar të individëve që janë bërë shumë të fuqishëm. Si i ndihmoni kultivuesit tani, por edhe ku e shihni zgjidhjen afatgjate të këtij problemi?

Hoxha: Vreshtaria është stabilizuar gjatë tre viteve të fundit, rrushi është blerë nga kantinat e verës dhe është paguar rregullisht. Subvencionet u paguan në kohë, masat IPARD u përdorën për të modernizuar prodhimin, u miratua edhe ligji për kantinat e vogla familjare, u prezantua “Nafta e gjelbër”, si dhe masa të tjera që ishin në interes të kultivuesve. Problemet për të cilat po flisni i referohen viteve të më hershme kur fermerët u lanë, fjalë për fjalë, në arbitraritetin e disa kantinave që morën rrushin dhe nuk i paguanin ato brenda afatit të përcaktuar ligjërisht. Kjo shkelje e kontratës dhe ligjit u tolerua nga qeveria e mëparshme e cila nuk ua hoqi licencën atyre, duke mbrojtur kantinat e verës që nuk i paguanin prodhuesit. I tillë ishte rasti me kantinën “Povardarie” nga Negotino dhe Kantinën “Stefani” nga Kavadari, e cila u detyrohej prodhuesve gati 2 milion euro, para që qeveria e re ua pagoi atyre vitin e kaluar. Këtë vit, blerja e rrushit ishte një sfidë për shkak të problemeve të krijuara nga kriza e koronës dhe përçarjes së tregut të rrushit dhe verës. Kantinat e verës thanë se kishin rezerva vere të pashitura dhe se ka interes të ulët për blerjen. Kjo situatë u përkeqësua edhe më tej nga kushtet e pafavorshme klimatike të cilat bënë që të ulet cilësia e rrushit, e me këtë edhe ulen e çmimit blerës ose uljen e interesit të blerjes. Duke e njohur këtë situatë ddirekt nga terreni nga vizitat e mia të drejtpërdrejta me Kryeministrin Zaev, si dhe me të dhënat nga institucionet, miratuam masa që ndihmuan blerjen. Ne ndërhymë në dy drejtime. Subvencionet e para për rrushin e blerë për verë dhe paketa e dytë e subvencioneve për rrushin e destinuar për distilim.Kështu rrushi u grumbullua, subvencionet do të arrijnë te prodhuesit dhe mund të themi se kemi marrë maksimumin nga situata e cila ishte mjaft e pasigurt këtë vit.

Faktori: Sa fermerë maqedonas janë prekur nga pandemia e KOVID-19. A keni një përmbledhje të situatës në periudhën e kaluar dhe çfarë masash janë marrë?

Hoxha: Pandemia konfirmoi edhe një herë rëndësinë e prodhimit bujqësor, pra prodhimin e ushqimit. Fermerët tanë, veçanërisht kopshtarët dhe prodhuesit e frutave gjatë gjithë sezonit kishin një renditje të mirë dhe çmime të shkëlqyera. Drithërat dolën mirë, gruri ishte pothuajse i blerë dhe specat e ajvarit kishin një çmim të shkëlqyeshëm. Vjelja e mollëve është duke u zhvilluar, për të cilat gjithashtu kanë plasman të siguruar. Poashtu, ne nuk presim probleme me blerjen e orizit dhe duhanit. Vetëm në fillim të pandemisë kishte një problem me lakrën dhe blerjen e qengjit, për të cilin shteti ndërhyri përsëri. Këtë vit, lakra, përveç se kishte 30% më shumë sipërfaqe të mbjella se vitin e kaluar, mbërriti për korrje para karantinës, atëherë ku të gjithë vendet ishin të kapura nga situata e re.E njëjta gjë ishte edhe rasti me blerjen e qengjit, por edhe këtu u tregua kujdesi i qeverisë, e cila në bashkëpunim me blerësit dhe tregtarët, gjetën një zgjidhje të favorshme për fermerët.

Faktori: Kërkesa për ushqim është fakt që është rritur, veçanërisht në kulmin e karantinës dhe në tremujorët e parë kapacitetet e përpunimit kanë punuar mirë, poashtu edhe markat vendase të ushqimit. A ka tani pengesa në zinxhirët e furnizimit të prodhuesve vendas dhe a ka probleme me prodhimin e destinuar për eksport?

Hoxha: Në prodhimin bujqësor të destinuar për eksport dhe për tregun e brendshëm, deri më tani nuk kemi regjistruar ndonjë pengesë dhe as kemi ngecje. Kapacitetet e përpunimit punojnë normalisht. Të gjitha problemet dhe ngecjet që kemi pasur që nga fillimi i krizës tani janë kapërcyer dhe prodhimi i përgjithshëm i ushqimit po shkon normalisht.

Faktori: Programi IPARD për mbështetjen e zhvillimit rural dhe bujqësisë është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, por deri më tani ka pasur probleme me përqindjen e shfrytëzimit të fondeve në dispozicion. Si do ta forconi kapacitetin e fermerëve për të aplikuar për këto fonde?

Hoxha: Shfrytëzimi i fondeve nga Programi IPARD 2014-2020 është i rëndësishëm, i cili në fakt është shënuar në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian. Duke pasur parasysh parashikimet e Agjencisë Financiare për Mbështetje të Prodhimeve Bujqësore për aprovimin dhe realizimin e kërkesave (projekteve) të paraqitura në thirrjet publike më 2019, 2020 dhe 2021, pritet të përdoren të gjitha fondet nga Programi. Kapaciteti i fermerëve (kërkues të fondeve) forcohet vazhdimisht duke kryer një fushatë informuese dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre (shoqatat bujqësore) në punën e Komitetit të Monitorimit të IPARD. Këshilltarët e AKM-së kanë siguruar mbështetje këshilluese për mbi 2,000 aplikantë për fondet IPARD.

Faktori: Sistemi i subvencionimit është kritikuar prej kohësh si më shumë social sesa zhvillimor dhe se efikasiteti dhe modelet e financimit të produktit duhet të ndryshohen, veçanërisht me cilësi të lartë si për tregjet e brendshme ashtu edhe për ato të huaja. A mendoni se ka nevojë për ndryshime në fushën e subvencioneve dhe si do të zbatoheshin ato?

Hoxha: Prodhimi bujqësor subvencionohet kudo sepse është një degë me fitim të ulët, por e rëndësishme, degë strategjike për çdo vend serioz. BE-ja alokon deri në 40% të buxhetit për prodhimin bujqësor dhe për zhvillimin rural. Produktet tona janë në të njëjtat tregje së bashku me prodhimet e vendeve anëtare të BE-së dhe për këtë arsye subvencionet janë të pashmangshme për të pasur prodhim konkurrues. Aspekti shoqëror duhet të ekzistojë, por programi ka për qëllim kryesisht sigurimin e një komponenti zhvillimi të subvencioneve. Në tre vitet e fundit, shumë ndryshime janë futur në fushën e masave që stimulojnë agrobiznesin familjar, pastaj privilegjet dhe më shumë para për fermerët e rinj, gratë rurale, për një zhvillim më të madh të prodhimit me kontratë ose të korrave që kërkohen në tregjet e huaja. Kështu që tregohet kujdes për marrjen e subvencioneve për fermerët e duhur dhe për të investuar në prodhim për të modernizuar dhe rritur rendimentin dhe cilësinë e produkteve. Plani është që të ketë kontroll më të madh mbi zonat, qoftë ato të kultivuara, për të përjashtuar mundësinë e keqpërdorimit të subvencioneve pa prodhim dhe për t’i drejtuar ato atje ku përdoren në të vërtetë. Masat e reja dhe shuma e subvencioneve këtë herë do të miratohen në bashkëpunim me fermerët përmes përfaqësuesve të tyre si dhe në bashkëpunim me shkencën.

Faktori: A do të jetë e nevojshme një strategji e re për zhvillimin e bujqësisë në një periudhë pas kororës? Si do të zhvillohet kjo degë, cilat do të jenë bazat e qëndrueshmërisë dhe si e shihni rimëkëmbjen?

Hoxha: Kriza me pandeminë e koronavirusit patjetër që do të ndikojë në prodhimin bujqësor duke diktuar tendencat, për të prodhuar atë që është më e kërkuar, për të gjetur tregje të reja, për të rregulluar prodhimin me nevojat e tregut të brendshëm dhe përpunuesve vendas. Fakti është se prodhimi vendas është më i sigurti për qytetarët dhe përpunuesit vendas. Shpresoj se kjo do të kontribuojë në zhvillimin më të madh të prodhimit të kontratës, marrëdhëniet bashkëpunuese në të cilat fermerët do të dinë për kë prodhojnë dhe me një çmim të rënë dakord më herët. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë stabilitet dhe siguri. Shpresoj gjithashtu që me ndihmën tonë, përmes masave të MBPEU, ne do t’i motivojmë fermerët të bashkohen, të formojnë kooperativa bujqësore dhe kështu të veprojnë së bashku, për t’u forcuar. Përmes mjetit të MBPEU – “Furnizim – kërkesë” ne do t’i ndihmojmë ata të shesin online, do të kemi punëtori edukative, fushata mediatike dhe mënyra të tjera për të promovuar masat e Qeverisë si dhe për risitë në prodhim, propozimet e biznesit, idetë për vetëpunësimin, për të filluar agrobiznes, ose masat për të rritur fitimet nga bizneset ekzistuese.

Faktori: Kryeministri Zaev filloi temën e kushteve për privatizimin e tokës shtetërore. A do ta vazhdoni të punoni në këtë drejtim, në mënyrë që toka bujqësore shtetërore të përdoret në maksimum me të gjitha potencialet, duke vendosur kritere të qarta për investitorët?

Hoxha: Është hapur një debat publik mbi mundësinë e shitjes së tokës bujqësore. Pas të gjitha analizave, ne do të veprojmë në drejtim të zhvillimit, në mënyrë që të vëmë në punë tërë tokën bujqësore, veçanërisht pasi pandemia botërore na tregoi të gjithëve se edhe kur e gjithë bota u ndal, vetëm prodhimi i ushqimit nuk mund të ndalet. Vendi ynë ka një klimë shumë të favorshme, tokë pjellore, shumë ditë me diell në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet për prodhimin bujqësor. Prandaj, veprimet tona në të ardhmen do të jenë në drejtim të shfrytëzimit të plotë të tokës bujqësore në dispozicion në pronësi shtetërore dhe private.

Faktor: Cili është kërcënimi i ndryshimit të klimës në bujqësinë e brendshme? A janë zbatuar rekomandimet e ekspertëve për masat e adaptimit, si dhe për mirëmbajtjen e sistemeve të ujitjes me pika tashmë të krijuara dhe a keni ndonjë plan për projekte të reja të këtij lloji?

Hoxha: Ndryshimi i klimës është realiteti ynë.Sado që kemi menduar se nuk do të kishte një ndikim të tillë në prodhimin tonë bujqësor, vitet e fundit fatkeqësitë e motit na kanë demantuar. Kemi pasur përmbytje, thatësira, breshër, ngrica të hershme dhe të vona në pothuajse të gjitha rajonet. Një nga masat që rezultoi jashtëzakonisht e mirë është mbjellja ajrore e reve, e cila parandaloi dëme të mëdha nga breshëri. Gjithashtu në masat nga IPARD ekziston mundësia për të aplikuar për grante 60% për sistemet e ujitjes, teknologjitë kundër ngrirjes, instalimin e rrjetave të mbrojtjes nga breshri dhe masa të tjera të destinuara pikërisht për të zvogëluar dëmet nga ndryshimeve klimatike, ne jemi duke kërkuar për varietete frutash me lulëzim të mëvonshëm të cilat do të zvogëlojnë ngricat e pranverës ose varietetet që janë rezistente ndaj thatësirës dhe karakteristikave të tjera të rajonit. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave tregon shqetësimin e saj për ndikimin e ndryshimit të klimës në prodhimin bujqësor përmes projekteve që lidhen me ujitjen dhe furnizimin me ujë. Përveç ndërtimit të dy digave dhe sistemeve të reja të ujitjes të cilat janë projekte në vazhdim, si dhe njoftimit për ndërtimin e një dige tjetër, MBPEU në mënyrë që të luftojë efektet negative të ndryshimit të klimës ka përgatitur dy studime, të cilat do të jenë një bazë shtesë për investime në sistemet e ujitjes me qëllim të luftimit të efekteve të dëmshme të ndryshimit të klimës. Në pjesën e strategjisë kombëtare 2021-2027 do të kemi propozime të qarta dhe një kornizë në pjesën e përshtatjes së prodhimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Faktor: Puna sezonale është shumë e pranishme në bujqësi, por ka disa kufizime për regjistrimin elektronik në Agjencionin për Punësim në RMV, veçanërisht me kompani të vogla familjare dhe individë që nuk kanë fonde për një çertifikatë dixhitale. A po planifikoni të përfshiheni në procesin e ndryshimeve ligjore për të rregulluar punën sezonale në bujqësi dhe çfarë mund të përmirësohet në zgjidhjet e sistemit?

Hoxha: Ne kemi komunikuar me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për këtë çështje dhe ata tashmë janë duke punuar në tejkalimin e problemit me punëtorët sezonalë, në drejtim të pranimit dhe promovimit të të drejtave të tyre që do të mbrohen me ligj.

Intervistën e plotë në gjuhën maqedone mund ta lexoni KËTU.

NA NDIQ NË FACEBOOK