Kosovë
Helmimi i Navalnyt: BE-ja i vë sanksione Rusisë, Rusia premton hakmarrje

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve të lartë rusë dhe ndaj një qendre kërkimore kimike pas helmimit me Noviçok të aktivistit anti-Putin, Aleksei Navalnit.
Ata që do t’i vuajnë ndalesat në udhëtimet dhe të cilëve do t’iu ngrihen asetet përfshijnë shefin e Sigurimit Federal (FSB), Aleksandër Bortnikovin dhe dy zëvendës-ministra.
Z.Navalny po shërohet në Berlin. Ai ka fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për sulmin me agjentin nervor që ndodhi në muajin gusht, shkruan BBC, përkthen Periskopi.
Kremlini sidoqoftë ka mohuar se ka pasur ndonjë rol në këtë ndërmarrje kriminale.
Ministrat evropianë të punëve të jashtme u pajtuan për këto sanksione ditën e hënë, të shtyra përpara nga Franca dhe Gjermania, pasi që janë të bindur se agjenti nervor kishte ardhur nga një objekt shtetëror.
Në deklaratën e BE-së të lëshuar sot thuhet se “është i arsyeshëm përfundimi që helmimi ishte i mundshëm vetëm me përfshirjen e FSB-së, sigurimit shtetëror të Rusisë”.
Qeveria ruse ka mohuar gjetjet e ekspertëve evropianë që arma ekstremisht helmuese kimike Novichoku, e zhvilluar nga shkencëtarët sovjetikë gjatë Luftës së Ftohtë, ishte përdorur.
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, e kishte akuzuar BE-në se nuk po mund ta kuptonte atë që ai e quajti “nevojë për dialog respektues të dyanshëm” dhe se Rusia do të hakmirrej ndaj sanksioneve. /Periskopi



















