Lajme
Edi Rama premton: Të gjitha bluzave të bardha iu rritet rroga për 40 për qind

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama teksa inspektoi punimet te Spitali i ri i Fëmijëve e premtoi rritjen e pagave për të gjitha bluzat e bardha, që ishte thënë edhe më herët prej tij, por sot ai tha se masa e rritjes do të jetë 40 për qind.
“Sot e kemi edhe atë publikimin e masës që do të marrim për pagat që do të fillojë nga 1 janari. Do të përfshihen në Ligjin e ri të Buxhetit për 2021. Të gjitha bluzave të bardha do t’ua rrisim 40 për qind pagat. Nuk është pak, besoj”, ka thënë ai.
Ndërkohë, ndërtimi i Spitalit të ri të Pediatrisë në QSUT, me vlerë 9 milionë euro, është një investim nga i cili përfitojnë rreth 130 mijë fëmijë që trajton ky spital reference për pediatritë në të gjithë vendin.
Ky investim përfshin rikonstruksionin e plotë të Kompleksit të Spitalit Pediatrik që përbëhet nga dy godina. Godina e re (Pediatria e Specializuar) u ndërtua rreth viteve 80′, ndërkohë që Godina e vjetër (Pediatria e Përgjithshme) u ndërtua në 1958. Në këtë investim përfshihet edhe ndërtimi i një godine të re – për Urgjencën, Reanimacionin e Pediatrisë dhe sallat e Kirurgjisë së Pediatrisë duke mundësuar aksesueshmëri, lëvizshmëri, krijimin e ambienteve miqësore për fëmijët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor./ TCh
.






















